
Ndodh në mes të Europës që politika të ngatërrohet me sportin. Ndeshja e vlefshme për grupin A të Europa Ligës, mes Dudelanszh (LXE) dhe Karabaku (AZE) është ndërprerë në minutën e 35-të pasi një dron fluturoi mbi fushën e gjelbët. Në të valvitej flamuri i Armenisë, vend në konflikt me Azerbajxhanin. Kaq është dashur që futbollistët azerë të tërboheshin dhe të qellonin me top dronin qe mbetej pezull mbi fushë.
Në shkallët e stadiumit, tifozët miq të Karabakut janë përleshur me forcat e sigurisë dhe kanë pushtuar pistën e stadiumit, pikërisht për shkak të dronit. Në videon më poshtë, duken tifozët miq që hyjnë në pistë në përleshje me sigurinë; të ndihmuar edhe nga lojtarët e tyre që kanë mbërritur menjeherë në sektorin ku ata gjendeshin. Takimi është ndërprerë për afro 30 minuta dhe më pas ka vazhduar i qetë. Karabak mori një fitore 1-4 që e mban në kuotën e tri pikëve, po aq sa Dudelanzhe.
Pamje të tilla të kujtojnë mbrëmjen e 14 tetorit 2014, kur në mes të Beogradit, gjatë ndeshjes kualifikuese Serbi - Shqipëri një dron me simbolet e Shqipërisë së madhe do të ndërprisnin përgjithmonë takimin duke shkaktuar frikë për shqiptarët e gjendur në stadium. Më pas, CAS në Lozanë vendosi t'i jepte fitoren 0-3 Shqipërisë.