
Brajan Marku, portieri 22 vjeçar i ekipit të futbollit Tërbuni në Pukë, u arrestua nga Policia, pasi në përfundim të ndeshjes mes ekipit të tij dhe ekipit të Kukësit, ka dhunuar një punonjës të Policisë Bashkiake, në qytetin verilindor.
Referuar komunikatës së fundit për shtyp nga Drejtoria Vendore e Policisë së Kukësit, bëhet e ditur se portieri 22 vjeçar i skuadrës së Tërbunit ka dhunuar për motive të dobëta një punonjës të policisë bashkiake, duke i shkaktaur dëmtime të lehta.
Për këtë situatë ka marrë masa edhe Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së. Në vendimet e bëra publike ditën e sotme, shihet se portieri është pezulluar me 1 vit nga veprimtaritë sportive.
VENDIMI:
Lojtari i KF Tërbuni, Brajan Marku, për sjellje të dhunshme që cënon reputacionin e sportit të futbollit dhe të gjithë pjesëmarrësve të saj, në bazë të neneve 13/2/d, 14/1/i dhe 32 të KDE, dënohet me 1 (një) vit pezullim nga veprimtaritë.