Vllaznia do të presë të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi” Bylisin, në kuadër të javës së 34-të të Abissnet Superiore.
Pas humbjes befasuese që mori ndaj Elbasanit në stadiumin “Elbasan Arena”, me këta të fundit që morën dhe kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm, shkodranët presin në Shkodër një kundërshtar i cili në ndeshjet e fundit ka bërë një progres tejet pozitiv për ambiciet që kanë lidhur me qëndrimin në Superiore sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, fakti që ballshiotët vijnë “kërcënueshëm” në këtë duel të së shtunës, nuk përbën diçka për t’u shqetësuar në kampin shkodran të cilët besojnë se atmosfera e “zjarrtë” që do të shkaktojë pikërisht tifozeria e tyre shërben si stimul më shumë që “djemtë” e Edi Martinit të marshojnë drejt tre pikëve të radhës.
Në postimin e fundit të klubit, ata i paraprijnë me mesazhe të qarta se Shkodra do të mbetet një “fortesë” e pathyeshme dhe se në territorin e tyre do të vijë dhe kthesa drejt fitores.
"Të shtunën rikthehemi në "Loro Boriçi" për sfidën ndaj Bylisit, me besimin e rikthimit tek fitorja. Një jetë, dy ngjyra, një skuadër", shkruhet në postimin e Vllaznisë.
