Emisioni “Analizë Superiore” prezantoi puntatën e fundit të këtij sezoni, teksa në fokus ishin dy ndeshjet e fundit të fazës “Final 4”, për të sjellë një këndvështrim më të zgjedhur mbi atë çka ndodhi në dy takimet e javës së fundit të fazës finale të kampionatit.
Një këndvështrim më i specializuar për sfidat Vllaznia – AF Elbasani dhe Egnatia – Dinamo City në episodin e radhës, që vjen si gjithnjë nën drejtimin e Jurgen Zelës dhe me analizën teknike të video-analistit të Federatës së Futbollit, Xhoen Tugu.
Detajet më interesante dhe disa nga momentet më të rëndësishme të ndeshjeve të zhvilluara të dielën, të shoqëruara me statistikat kryesore dhe me interpretimin taktik të situatave më interesante në fushë.
Suksesi i Egnatias ndaj Dinamo City i dha titullin e tretë radhazi ekipit të Nevil Dedes. AF Elbasani u rendit në vendin e dytë, pas fitores 1-2 me përmbysje ndaj Vllaznisë. Po ashtu, u rezervua një hapësirë e dedikuar për statistikat e gjithë sezonit për katër ekipet e “Final 4”.
Emisionin “Analizë Superiore” mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtar në YouTube.
