
Pogradeci ka arritur një fitore madhështore sot në “Elbasan Arena” me rezultatin vendimtar 1-0 përballë Besës së Kavajës. Ekipi liqenor bëri një paraqitje dinjitoze sot përballë kavajasve, të cilët i eliminoi nga gara për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm.
Goli vendimtar sot u realizua nga Festim Alidema me një goditje dënimi të shkëlqyer. Pogradeci arriti të mbajë rezultatin deri në fund dhe portën e paprekur ndaj Besës.
Në momentin e rënies së bilbilit të fundit nga gjyqtari Eldorjan Hamiti, tifozeria e Pogradecit shpërtheu në festë të madhe në tribunat e “Elbasan Arenës”. Tashmë janë edhe 90 minuta në lojë për “ëndrrën” e madhe Superiore, që kalon nga Tirana.
Pogradeci kreu dhe një ndeshje mjaft të mirë disa ditë më parë në sfidën e parë të Play Off-it transfertë ndaj Burrelit me shifrat 1-0, ndërsa sot triumfoi ndaj Besës.