
Flamurtari është rikthyer në Superiore pas 5 vitesh. Për këtë në Vlorë po punojnë shumë që të bëhen sa më kompetitiv për të garuar për trofe.
Artim Pollozhani mori për disa javë drejtimin e vlonjatëve pas largimit të Andrea Agostinellit, teksa bëri të mundur edhe ngjitjen në Superiore. Por Pollozhani nuk do të drejtojë ekipin në elitë, pasi me shumë gjasa do të marrë rolin e drejtorit sportiv.
Ndërkohë në skenë për stolin e kuqezinjve kanë dalë 2 emra “big”. I pari është Qatip Osmani, i cili e njeh mirë Superioren, pasi në të kaluarën ka drejtuar Vllazninë.
Emri i dytë është Ernest Gjoka, i cili së fundmi drejtoi Skënderbeun në Superiore, por nuk ia doli të siguronte mbijetesën. Ditë vendimtare janë këto në Vlorë, ku Sinan Idrizi pritet të vendosë edhe pikat mbi “i” për timonierin e skuadrës dhe më pas për të nisur punën për merkaton në hyrje dhe dalje.