Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

Skuadrat e mbijetesës i japin "leksion" kreut, më të mirët e javës së 34-të në Superiore (FORMACIONI)

Shkruar nga NEWSPORT
Skuadrat e mbijetesës i japin "leksion" kreut, më të
Formacioni i javes

Abissnet Superiore mbylli javën e 34-të këtë të shtunë, me të gjitha sfidat që u zhvilluan në të njëjtin orar e ku u prodhuan rezultate vërtetë befasuese. Kryefjalën e morën kryesisht skuadrat që luftojnë për mbijetesën, duke mposhtur ato të kreut, çfarë do të thotë se për t’u njohur me ekipet që do të qëndrojnë në elitë sezonin e ardhshëm, na duhet të presim edhe dy javët e mbetura.

Si në çdo javë që konkludon rezultatet e saj, Newsport përzgjedh formacionin më të mirë dhe trajnerin fitues.

Roberts Ozols (Bylis) – Një “mur” në katërkëndëshin e portës për ballshiotët. Padyshim, dy golat e shënuar në Shkodër përballë Vllaznisë kanë vlerat e veta, por një meritë të madhe ka edhe gardiani nga Latvia, i cili ofron siguri dhe efikasitet kur thirrret në “apel”.

Jurgen Vrapi (Vora) – Protagonist tek goli i parë i shënuar nga Dario Daka në nisjen e sfidës përballë Elbasanit. Krahas asistit të dhënë, kryen me sukses detyrat e tij në krahun e majtë të mbrojtjes dhe bën çmos që kundërshtari të përballet me vështirësi në hapjen e aksioneve nga ai krah.

Dime Dimov (Bylis) -  Mbrojtësi i ballshiote padiskutim vendimtar në frenimin e aksioneve ndaj shkodranëve. Nëse Ozols bën “heroin” në portë, maqedonasi kujdeses që shoku i tij i skuadrës të mos e ndjej shpesh presionin e kundërsulmeve.

Diar Halili (Tirana) – Ajo fitore minimale në Durrës përballë Teutës nuk është thjesht çështje “fati”. Krahas golit në minutat e fundit të pjesës së dytë, Halili neutralizon çdo aksion të durrsakjëve dhe i bashkohet lojtarëve bardheblu në repertorin e më të mirëve.

Usni Ismaili (Dinamo City) – Përballë një Egnatia “në krizë”, Dinamo shfrytëzoi çdo pikë të dobët dhe mori një fitore plot peshë. Në mesin e “yjeve” që treguan vendosmëri në çdo cep të fushës, edhe Ismaili mbetet një “aset” për trajnerin Ilir Daja.

Karrica (Vora) – Një dopietë golash në minutat e fundit përballë Elbasanit rezultuan vendimtarë në fitoren që vlen për shpresat e qëndrimit. Hyri në pjesën e dytë dhe qëlloi “jackpotin” për skuadrën e Arjan Bellait.

Denis Pjeshka (Flamurtari) – I kudondodhur në mesfushë në sfidën përballë Partizanit. Nuk shënoi në këtë përballje që dhuroi plot 5 gola, ku 4 u shënuan nga vlonjatët, por paraqitja e tij mjafton që të zë një vend titullari dhe në këtë 11-she fituese.

Taofeek Malomo (Dinamo City) – Mesfushori nga Nigeria udhëhoqi Dinamon me dy gola të shënuar që në pjesën e parë, rezultat “fiksues” dhe për fraksionin e dytë.

Erald Maksuti (Flamurtari) – Kur ndeshja po shkonte 3-1 në favor të Flamurtarit, Erald Maksuti kujdeset për t’i dhënë goditjen e “knock-out” kundërshtarit dhe pozicionohet në krahun e majtë të sulmit në këtë formacion.

Walisson (Bylis) – Goli i tij i shënuar në pjesën e parë i hapi rrugën të dytit që erdhi nga Stoilov.

Rimal Haxhiu (Tirana) – Deri në minutën e 76-të, ndeshja ishte ende 0-0, sulmuesi tregohet “snajper” dhe nuk fal në portën e Gentjan Selmanit. Nëse Tirana sheh me optimizëm pozitat në renditje dhe i gëzohet në njëfarë mënyre kësaj fitoreje, meritë ka dhe Haxhiu.

 

Këtë formacion e udhëheq trajneri Mirel Josa, i cili në stadiumin “Loro Boriçi” u dha leksione Vllaznisë duke i mposhtur në shtëpinë e tyre. Edhe pse shkodranët dhuruan një paraqitje zhgënjyese, kjo nuk ia heq meritat Josës i cili ka “zgjuar” të tijët në frontin final.

Poll

Lexo gjithashtu