
Partizani do të përballet me Egnatian në gjysmëfinalen e “Final – Four”. Një short jo shumë i lehtë për “Demat”, të cilët do të sfidojnë kampionët aktualë për titullin.
Pas kësaj ka folur Skënder Gega. Timonieri i kryeqytetasve ka theksuar se ndeshjet e kësaj faze janë mjaft të vështira, ndërsa nënvizon se Partizani do të japë maksimumin për të triumfuar në fund.
Ndër të tjera është pyetur edhe për të ardhmen, por bëri të ditur se fillimisht ka rëndësi Partizani.
“Shorti? E pashmangshme, besoj Final Four duhet ta shijojmë, klubi ka ardhur në pikësynimet e veta. Do gëzojmë në çdo mënyrë, edhe të ishte me Vllazninë dhe Dinamon. Deri me datë 5 kemi ditë ekstra për të punuar. Të bëjmë më të mirën, në fund të fitojë futbolli.
Egnatia është skuadra më e fortë, por në Final Four tjetër qasje. Ardhja në Final Four na ka dhënë qetësi, por dhe besim. Është në “Arena Kombëtare” me mbështetjen e tifozëve, nuk ka shumë gjëra për të thënë.
I vlerësoj kundërshtarët, edhe sikur të mos ishte Egnatia, historia tregon që gjatë vitit humbet pikë me ekipet që nuk kanë kualitetin e Egnatias. Besoj se e vlerësojnë Partizanin. Jemi në Final Four me 3 ekipe që kanë bërë shumë mirë, Egnatia ekip kampion, vjen me ecuri të mirë, ka potencial dhe lojtarë të mirë dhe ne po formohemi, deri me datë 5 besoj do jemi 100%.
Nuk janë radikale vendimet, çdo trajner dhe klub ka rregullat e veta, asgjë personale. Çdo gjë ka shkuar si e kemi parashikuar, uljet-ngritjet dhe dilemat janë patjetër. Partizani është kryesor. Gjëra që kanë kaluar, unë mundohem t’i sheshoj situatat kur janë të ngrohta, shpresoj t’i kem 100% të gjithë dhe kjo është më e rëndësishme", ka përfunduar Gega.