
Tirana do të luajë këtë të shtunë përballë Egnatias në transfertë, ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në qytetin e Rrogozhinës, do të nisë në orën 18:00. Në prag të këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi. Tekniku i Tiranës thotë se ekipi i tij është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, por thekson duhet edhe fati që të marrin rezultat pozitiv.
“Në fakt mund ta quajmë pozitive barazimin, lufta vijon, këtë javë kemi një kundërshtar të fortë, me një skuadër që nuk ka prishur atë që po ndërton dhe për mënyrën si luan, kërkon respektin maksimal. Jemi përgatitur, shpresojmë shumë që të kemi edhe fatin me vete. Në fakt kemi probleme fizike, vijon Abah dhe Rafa, sot është stërvitja e fundit për të parë kush mundet dhe kush jo, e kam thënë shumë herë që nuk duhet të ketë justifikim, atyre që iu jepet mundësia të japin maksimumin.
E kam thënë gjithmonë që kur ka presion ndryshojnë objektivat, është te të dyja skuadrat, duhet të bëjmë maksimumin për të kaluar këtë situatën ku jemi. Egnatia është më e qetë, lufton për vendin e parë, i falen dhe gabimet, ne nuk e kemi atë luks dhe duhet të jemi shumë të përqëndruar. Tirana duhet të jetë më e përqëndruar se në çdo ndeshje, në të dyja fazat e lojës, te rastet që krijojmë, te rastet që mbrojmë duhet të jemi të përqëndruar pasi Egnatia ka lojtarë që bëjnë diferencën dhe të ndëshkojnë nga momenti në moment”, tha Bledi Shkëmbi.