Partizani njoftoi pak minuta më parë, shkarkimin nga detyra të trajnerit Oltijon Kërnaja. Pavarësisht se të kuqtë janë ende në garë për një vend në “Final Four”, klubi theksoi se rezultatet e ndeshjeve të fundit sollën edhe këtë vendim drastik ndaj teknikut 37-vjeçar.
Një situatë e çuditshme tek të kuqtë, që mesa duket janë mëse të “sigurt” që nuk e arrijnë objektivin Evropë, duke larguar trajnerin 3 javë para fundit të kampionatit. Një vendim i rrufeshëm që ngre edhe pikëpyetje, me Demat që “firmosin” kështu vendin e pestë, sigurisht duke marrë shkas shkarkimin e trajnerit Kërnaja.
Kujtojmë se momentalisht Partizani është i pesti në renditje me 45 pikë, në të njëjtën kuotë me Dinamon e vendit të katërt. Përsa i përket aventurës së Kërnajës në drejtimin e të kuqve, si trajner ai ka fituar 13 nga 28 ndeshjet, duke humbur 8 e barazuar 7 të tjera.


