Klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës padiskutim është supersfida e javës së 26-të të Superiores. Takim ky që do të marrë vëmendjen ditën e nesërme në orën 19:00 në “Loro Boriçi”.
Por kjo nuk do të jetë vetëm një ndeshje mes skuadrave, por edhe një sfidë mjaft interesante për timonierët e tyre. Edi Martini nga njëra anë dhe Orges Shehi nga ana tjetër premtojnë spektakël dhe do t’i japin më shumë “shoë” kësaj përballjeje.
Siç dihet ish-kapiteni i Skënderbeut do të debutojë në aventurën e tij të dytë te Tirana pikërisht në Klasiken e Shqipërisë, por në karrierën e tij është përballur disa herë me trajnerin shkodran. Dhe bëhet fjalë për periudhën kur Martini drejtonte Teutën dhe Shehi ishte në krye të Tiranës në sezonin 2021-2022, sezon kur edhe e shpalli kampione dhe në krye të Kukësit në sezonin 2020-2021.
Në 14 përballje direkte në të kaluarën, si për ironi të fatit ka një balancë totalle mes tyre. 6 sfida janë fituar nga Martini dhe po kaq nga Shehi por me dy ekipe të ndryshme, me Tiranën dhe Kukësin, teksa vetëm 2 herë janë ndarë në barazim. Por nëse shikojmë golat e shënuar dhe ato të pësuar, ka një superioritet trajneri i bardhebluve, i cili në portën e Teutës ka shënuar plot 16 gola, ndërsa Martini ka shënuar në portën e Kukësit e Tiranës 12 të tillë. Në këto kushte golavarazhi i golave është +4 për Shehin dhe mbetet të shihet se në anën e cilit do të shkojë Klasikja e Shqipërisë ditën e nesërme dhe kush do të jetë superior ndaj tjetërit.
