
Gjithmonë pas një ndeshje shumë të rëndësishme ka pakënaqësi nga njëra palë apo tjetra. Pas finales së titullit të zhvilluar mbrëmë në “Air Albania”, zgënjimi ishte shumë i madh te Partizani, pasi humbën titullin përballë Egnatias.
Të kuqtë nuk ia dolën të fitojën për herë të dytë rresht titullin dhe kjo padiksutim “dhemb”. Finalja e mbrëmshe u gjykua nga një arbitër i huaj, një mënyrë për të gjykuar drejt. Por duket se vendimet e Anthony Taylor nuk kanë kënaqur të kuqtë.
Olsi Rama vazhdon për të disatën herë të reagojë ashpër ndaj arbitrave të ndeshjeve të rëndësishme, duke ‘shfryrë’ ndaj tyre. Nuk i shpëtoi as Taylor, ku drejtori sportiv i Partizani pas ndeshjesh u shpreh se kishte ardhur për pushime, duke ngritur pretendime se ndaj tyre janë bërë padrejtësi, ku përmend golin e anuluar, apo edhe për disa faulle kundër tyre.
Por nëse kthejmë sytë në të shkuarën vëmë re se Rama e ka një “taktikë” të tij të “sulmojë” arbitrat, kur ekipi i tiij humbet. Në Shqipëri ka “halë në sy” Enea Jorgjin. Arbitri shqiptar disa herë është “sulmuar” nga Olsi, ku sipas këtij të fundit Jorgji ka marrë vendime kundër të kuqve. Mjafton të kujtojmë derbin e parë me Tiranën të zhvilluar në “Air Albania”. Në dhjetor të 2019 sfida do të përfundonte në favorin e bardhebluve me shifrat 2-1 dhe Olsi Rama nuk nguroi të debatonte me Jorgjin në tunelin e stadiumit.
Një situatë e ngjashme ka ndodhur po në derbi, por këtë herë ndaj Dinamos në shkurt të 2022, ku ekipet ndaheshin në barazim. Duket se Olsi pas humbjeve nuk ulet të shikojë se çfarë nuk shkoi me ekipin e tij, por menjëherë “vjell” dhe gjen “fajtorin” te kryesorët e ndeshjeve. Ende nuk e ka kuptuar se duke sulmuar arbitrat asgjë nuk fiton dhe duhet të vërë “trurin” në punë për të përmirësuar ekipin, për të korrigjuar gabimet e skuadrës dhe për të fituar në ndeshje të mëdha.