
Paralelisht me Laçi-Partizani në orën 17:00, ditën e nesërme do të zhvillohet dhe takimi mes Skënderbeut dhe Dinamos. Një takim ky që gjen ekipin e Ilir Dajës në vështirësi përsa i përket repartit difensiv.
Dinamo vjen në përballjen e javës së 32-të me mungesa në krahun e majtë të mbrojtjes. Në këtë takim do të mungojë Naser Aliji i Kombëtares shqiptare. 31-vjeçari kuqezi u ndëshkua me karton të verdhë në derbi ndaj Partizanit duke plotësuar numrin e kartonëve dhe është i pezulluar për këtë sfidë.
Gjithashtu dhe Lorran nuk do të jetë nën urdhrat e Ilir Dajës. Anësori brazilian pësoi një tërheqje muskulore në derbi dhe thuhet të jetë e gradës së parë. Ai që pritet t’i zërë vendin këtyre më sipër pritet të jetë Ardit Toli që nuk është në pozicionin e tij natyral.