
Elbasani dhe Dinamo do të përballen ditën e nesërme për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, nis në orën 18:00.
Në prag të këtij dueli ka folur trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja. Ky i fundit tregon gjendjen aktuale të ekipit, teksa vlerëson maksimalisht ndeshjen përballë verdhebluve.
“Gjendja e skuadrës është po e njëjtë, nuk e kemi as këtë herë kontigjentin të plotë, por tashmë jemi mësuar me këtë situatë dhe duhet ta anashkalojmë. Edhe duke mos pasur gjithë kontigjentin në dispozicion, kemi vazhduar rrugëtimin tonë. Presim të rikthehen sa më shpejt të jetë e mundur lojtarët me probleme fizike.
Kemi rezultate pozitive me Elbasanin, por është fundi i kampionatit dhe faza e fundit nuk është njësoj me të tjerat. Është finishi dhe është pozitive që të gjitha ekipet kanë objektiva, sicc kemi ne. Me Elbasanin është një ndeshje e fortë, siç do të jenë të gjitha ato që kanë mbetur nga ky sezon. Janë të gjitha finale, si për ne, ashtu edhe për ekipet e tjera.
Kur kampionati ka këtë lloj pozicionimi, nuk ka vend për ndonjë paragjykim, sepse gjithë ekipet kanë objektivat e tyre. Ne duam të konsolidohemi akoma më shumë, pasi finishi është më i vështirë. Elbasani këto javët e fundit, pavarësisht se nuk ka fituar, edhe nuk është mundur, kështu që do të jetë e vështirë. Do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve.
Zabërgja dhe Aliji në Kombëtare? Mua si trajner, por edhe klubin, na gëzon ky fakt. Do të thotë se kemi lojtarë të mirë. Është goxha mirë për klubin dhe për vetë lojtarët, sepse Kombëtarja është maja e nivelit të futbollit.
Ndeshjet e Kombëtareve na japin një 10-ditësh kohë, që është një plus për lojtarët që mungojnë. Kemi konfiguruar një 11-she, por për shkak të dëmtimeve jemi detyruar të bëjmë lëvizje. Kur ta kemi gjithë kontigjentin, kemi mundësi të luftojmë si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë. Rivali ynë? Po, është kundërshtari i radhës”, u shpreh Ilir Daja.