I ftuar në emisionin “MegaSport” në A2CNN, ish-futbollisti Eduard Zhupa ka folur për gjendjen e Partizanit në Superiore. Sipas tij, të kuqtë kanë ende kohë që të luftojnë për “Final Four”, madje shton se “Demat” mund të kalojnë edhe Elbasanin në renditje.
“Ka ende kohë, për mua nuk ka mbaruar historia e Partizanit në Final Four. është vetëm shtatë pikë larg Dinamos, ka ende edhe shumë kohë. Megjithatë Dinamo është ekip shumë më i mirë se Partizani, mund të ndodhë që të kalojë edhe Elbasanin, mund të ndodhë gjithcka.
Nëse bëhet një ose dy goditje në merkato deri në fundin e sezonit, shanset janë aty, matematika ta lejon ta kalosh edhe Elbasanin. Mos harroni, Partizani ngelet Partizani, është ekip i madh. Ishte në vendet e fundit dhe nisi me fitoret rresht pastaj. Besoj se Partizani do ta gjejë mënyrën për të shkuar në Europë”, tha Eduard Zhupa.
Kujtojmë se momentalisht, “djemtë” e Oltijon Kërnajës mbajnë vendin e 6-të me 26 pikë. Në krahun tjetër, Elbasani me 38 pikë renditet i 3-ti, duke qenë një nga pretendentët kryesorë për titull.
