Të gjithë sportdashësit mund ta mbajnë mend ndeshjen e Partizanit kundër Flamurtarit në transfertë, ku të kuqtë triumfuan minimalisht 1-0 me autogol të shënuar nga Lorenc Trashi. Mëngjërashi ishte asokohe në qendër të kritikave për shkak të së shkuarës së tij me të kuqtë, duke qenë një nga lojtarët e preferuar nga tifozët.
E megjithatë prej tetorit deri në mars, kanë kaluar shumë ditë dhe çudia më e madhe në Shqipëri, 2 ditë zgjat. Ai gol u harrua dhe tani skenën e ka rrëmbyer fusha e Adush Muçës me protagonist sërish gramshiotin. Penalltia e shkaktuar me Bylisin në minutën e 97-të e ka përjashtuar atë nga Flamurtari, një ngjarje e paprecedentë në futbollin shqiptar teksa akuzohet se me dashje ka ndikuar në rezultatin e takimit.
Siç është shkruar dhe raportuar në media, përjashtimi nuk ka marrë trajtë zyrtare, por deri tani është në fazën e komunikimit verbal mes palëve. Një nga lojtarët më të mirë të viteve të fundit në rolin e tij duke u shndërruar në të pazëvendësueshëm e sheh veten në moshën 33-vjeçare të kryqëzohet në rrjet për një moment që të vërtetën mund ta dijë vetëm ai. Se si do të shkojë kjo situatë, mbetet për t’u parë në vazhdim.
