
Skënderbeu dhe Tirana kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Korçës, përfundoi në barazim me rezultatin 0-0. Pas kësaj sfide ka folur trajneri bardheblu, Gugash Magani.
“Në fakt për pozitat që janë dy skuadrat ne nuk na bëri punë kjo pikë. Tirana është skuadra kampion për barazime, me sistemin 3 pikë kjo të penalizon. Kemi bërë ndeshje të mirë në përgjithësi. Në pjesën e parë ishim më mirë ne me raste dhe lojë. Me pak kujdes mund të ndëshkonim kundërshtarin.
Kishim përballë skuadër që pat ndryshuar trajnerin dhe në këto raste risku është pozitiv sepse lojtarët janë më të motivuar. Do ta quaj rezultat pozitiv. Porosia e skuadrës ka qenë nga humbja e penalltisë me Partizanin, që të futemi gjithçka për gjithçka, të marrim fitoren ose humbjen. Kështu si ka shkuar renditja, më mirë se për barazimin. Jarmoni është lojtari numër 9 i joni, normalisht që lë boshllëk. Prengaj ka qenë i dëmtuar dhe do kohën e vet për ritmin e lojës. Mos harrojmë që sot kishim mungesë të rëndësishme si ishte Dembele, por Mici ka bërë ndeshje të mirë.
Unë nuk bëj modestin, jam njeri që shoh punën time, marr përsipër riskun. Pjesa e befasisë në tranzicion është pozitive për një skuadër. Do ritëm të lartë dhe shpejtësi e mendimit. Po mundohem në stërvitje për të dytën. Lojtarët në mesfushë mendoj nuk i kemi… kemi njëfarë problematike që do e rregullojmë. Në disa raste e vumë Skënderbeun në vështirësi në tranzicione në pjesën e parë.
Nuk e thashë është dramë barazimi. Pa mohuar meritat e Skënderbeut që kam shumë respekt, këtu ka qytetari dhe luhet futboll. Nëse do kishim fituar sot, do thoja kemi marrë 6 pikë, pavarësisht çfarë objektivash ka Tirana. Jemi në vështirësi”, u shpreh Magani.