
Partizani këtë sezon është në krizë. Ekipi nuk po arrin dot të gjejë rrugën e duhur në kampionat, teksa në 6 javë të zhvilluara deri më tani e shikon veten në vendin e parafundit në klasifikim.
Një ekip pa grintë, pa dëshirë dhe pa asnjë qartësi dhe derbi ndaj Tiranës tregoi se të kuqtë duhet të “riformatohen” për ndeshjet e ardhshme. “Demat” janë rënduar edhe psikologjikisht dhe tashmë ndërprerja e kampionatit për shkak të sfidave të Kombëtares ka ardhur në momentin e duhur.
Te Partizani do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen e ardhshme. Kjo do t’u japë mundësinë stafit me në krye Mladen Milinkovic të mendojë një “plan” të ri se si të nxjerrë ekipin nga kriza.
Ndeshja e radhës për të kuqtë do të jetë ndaj Flamurtarit. Një duel direkt për mbijetesë mes skuadrave, që aktualisht ndodhen në 2 vendet e fundit në klasifikim.