Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

Mes ëndrrës dhe rënies

Shkruar nga NEWSPORT
Mes ëndrrës dhe rënies
 

Vllaznia kryeson, Egnatia kampione në fuqi nuk dorëzohet, Elbasani ëndërron rikthimin e titullit pas dy dekadash dhe Partizani i Kërnajës është surpriza e sezonit. Ndërkohë Dinamo e ndërtuar për titull kërkon stabilitet, ndërsa Tirana dhe Flamurtari luftojnë për të shmangur një fund të dhimbshëm. Kush do ta fitojë këtë kampionat ku gjithçka vendoset në ankth?

Nga Retin TOKA
Edi Martini ishte ulur si në të rrallën herë duke menduar. Jo përpara një tabele taktike dhe as duke numëruar pikët. Përpara tij ishte një kampionat që në këtë sezon nuk të lë të marrësh frymë. Vllaznia e tij në krye, por në këtë fazë të sezonit askush në Shkodër nuk guxon të relaksohet. Diferencat janë të vogla dhe një ndeshje e vetme mund të përmbysë gjithë sezonin.

Në Rrogozhinë, Edlir Tetova qëndron stoik. Egnatia e tij është kampionia në fuqi dhe një skuadër që në tre vitet e fundit ka krijuar stabilitet në një futboll shqiptar ku qëndrueshmëria është luks. Nuk bën shumë zhurmë, por është gjithmonë aty, pranë majë ose në majë. Në Elbasan, Ivan Gvozdenociç ka krijuar një tjetër histori. Me qetësinë para medieve dhe karizmën në pankinë, ai po përpiqet të bëjë atë që qyteti verdheblu pret prej dy dekadash: rikthimin e titullit kampion.

Ndërkohë në kryeqytet, një tjetër histori po merr formë. Partizani i Oltijon Kërnajës është kthyer në fenomentin e sezonit. Trajneri tropojan, i nënvlerësuar nga shumëkush në fillim, ka ndërtuar një skuadër që sot i sfidon të gjithë. Por, kampionati shqiptar këtë edicion ka edhe paradokset e veta. Dinamo e Ilir Dajës u ndërtua për titull. Me një buxhet të frikshëm dhe me një trajner që e njeh mirë këtë kampionat, shumëkush mendonte se blutë do të ishin në pararojë të renditjes. Eleminimi i Hajduk Splitit në Europë vetëm sa e rriti më shumë këtë bindje. Sot, realiteti është tjetër. Dinamo noton në ujëra të turbullta dhe lufton për “Final Four”.

Ndërkohë, në fund të tabelës drama është më e madhe. Miliona lekë të investuara, skuadra me histori në futbollin shqiptar po përpëliten për të qëndruar mes më të mirëve. Tirana dhe Flamurtari, po përballen me një realitet që askush nuk do ta kishte imagjinuar në fillim të sezonit. E natyrisht për të dhënë dhe mendimin e tij në një kampionat kaotik, nuk mund të mungonte gazetari Gjergji Stefa, me një analizë enkas për revistën Newsbomb.

Mes ëndrrës dhe rënies
Gjergj Stefa me Armand Dukën

Një kampionat që nuk fal
Në këtë panoramë të ndezur të Superiores, Gjergj Stefa po bënte llogaritë e tij. Ashtu, ulur përpara ekranit, me memorien e një kompjuteri që punon ditë-natë pa ia ndjerë për konsum, ai përpiqet që çdo ndeshje t’i japë jetë dhe çdo momenti t’i gjejë një histori. Një gazetar që nuk e sheh futbollin vetëm si rezultat apo statistikë, por si dramë që ndryshon çdo javë. Një vlonjat që bën tifoz për Tiranën dhe dashuron marrëzisht Flamurtarin. Stefa e sheh këtë kampionat me një ndenjë të dyfishtë: entuaziaëm për garën dhe ankth për fatin e dy skuadrave që i ka për zemër. Sipas tij, kampionati ka hyrë në një fazë vendimtare. “Përtej faktit që unë mendoj se Final Four me përgjysmimin e pikëve nuk është skema ideale, por duke qenë si e tillë e mirëqenë, kampionati ka hyrë në një fazë vendimtare. Mendoj se diferencat mes skuadrave janë të vogla. Do të shohim diferencën mes vendit të parë dhe vendit të katërt se si do të jetë, sepse nuk e dimë nëse vendi i katërt do të luajë për kampionat apo edhe për Europë. Por gjithsesi mendoj se gara për Final Four realisht është interesante”, thotë ai.

Vllaznia, arma e saj më e fortë
Skuadra që për momentin duket një hap përpara është Vllaznia. I këtij mendimi është edhe Stefa kur thotë: “Mendoj se Vllaznia është favorite për ta fituar kampionatin. Ka sulmin më të mirë dhe në futbollin e sotëm diferencën e bëjnë sulmuesit: Balaj, Kastrati, Bismark, Doda që rri në stol, Kallaku. Janë të gjithë lojtarë që e njohin kampionatin shqiptar. Kanë luajtur në të shkuarën, janë rikthyer dhe kanë përvojë të madhe jashtë Shqipërisë”. Megjithatë ai paralajmëron se gjithçka mund të ndahet në detaje shumë të vogla. “Vllaznia këtë radhë, ndryshe nga euforia e viteve të shkuara, ka shanse të mëdha. Por, duhet të ketë kujdes sepse kampionati mund të ndahet për gjëra të vogla, sidomos në Final Four”.

Egnatia dhe Elbasani
Egnatia e Edlir Tetovës vijon të ketë luhatje, megjithatë mund të përgëzohet për lojën që ndërton kjo skuadër, paçka se ka pasur shumë “firo” në sesionet e merkatos. Për kampionen në fuqi, Stefa thotë: “Egnatia ka 3 vite që ka stabilitet. Nuk e ka ndryshuar trajnerin. Ka një stil loje. Ka një mesatare pikësh dhe ka një mesatare ndeshjesh. Përveç është dy vitet e fundit kampion me meritë, është prap afër. Nuk ka të sharë në këtë drejtim, pavarësisht se unë mendoj se Egnatia duhej të bënte diçka më shumë nga pikëpamja e aventurës ndërkombëtare. Por, kjo ka të bëjë me buxhetet dhe me biznesin. Dhe nuk mund t’i thuash sot një presidenti që nuk ka asnjë ndihmë përveç biznesit: Hidh ti para tani që skuadrën tonë ta shohim në Europë. Europa është thikë me dy presa, në rast se dështon në një ndeshje për shembull, është e vështirë të rikuperosh buxhetin”. Ndërsa Elbasanin e cilëson si surprizë: “Elbasani është surprizë e mirë. Është rritur ndjeshëm nga viti i kaluar në këtë vit. Është skuadër e mbledhur, skuadër pragmatiste dhe besoj se e meriton vendin që ka”.

Fenomeni “Kërnaja”
Një nga historitë më interesante të sezonit është Partizani dhe trajneri i tij. Gaz Demi i vetmi që besoi te ai dhe tanimë, tropojani Oltijon Kërnaja po ia shpërblen. Padyshim mund të konsiderohet një fenomen, veçanërisht për atë që skuadra ka dhuruar në paraqitjet e fundit. Në të njëjtën linjë mendimi qëndron edhe Gjergj Stefa që nuk heziton të shkojë shumë larg në objektivat e Partizanit. “Partizani ka një element surprizë. Trajneri Kërnaja është elementi surprizë i Partizanit. Kur mori drejtimin kishte shumë kontestime, por ia doli t’i parakalonte të gjithë rivalët. I mundi direkt ata dhe tani ndodhet në “Final Four””. Kur pyetet për titullin, përgjigja është e drejtëpërdrejtë: “Titulli kampion? Pse jo!”

Mes ëndrrës dhe rënies
Stefa me Kërnajën

Dinamo, zhgënjimi i sezonit
Për Dinamon, Stefa është shumë më kritik. Një skuadër që bënte mjaft mirë deri në Kupat e Europës, aq sa për një moment të gjithë besuan te mrekullia. Një buxhet i shëndoshë, me afrime të frikshme në merkaton e verës, por në fushë llogaridhënia nuk ka qenë në të njëjtin nivel. Aktualisht, deri në momentin e këtij artikulli, jashtë “Final Four” me një Partizan që e mposhti në ndeshje direkte. “Dinamo është një zhgënjim i madh për mua. Zhgënjim i madh do të ishte edhe nëse nuk do ta fitonte titullin kampion sepse me atë që bëri në verë, me buxhetin që krijoi, me emrin e trajnerit që mori, me eleminimin që bëri me Hajduk Splitin të gjithë e menduam se Dinamo do të ishte në pararojë të kampionatit me diferencë”. Por ai shton: “Ja ku jemi sot që treguesi i faktit dhe madhështia e trajnerit, jo gjithmonë të jep efikasitet se kjo është edhe e bukura e futbollit. Nuk është hera e parë që një skuadër, me një buxhet më të madh se të tjerat, me trajnerin më me përvojë të kampionatit, dështon. Kjo është pjesa më interesante e futbollit”. Dhe në fund thekson çfarë ka çaluar te Dinamo. “Mendoj në një moment fati, në një moment gjendja jo e mirë e lojtarëve, jo dëmtimet, në një moment menaxhimi i situatave të brendshme dhe ja ku krijohet diferenca e pikëve”.

Gabimet e Tiranës
Kur vjen puna te Tirana, Gjergji njeh gjithçka. Madje dhe intuita s’i gabon. Eksperienca mbi supe, por dhe afërsia gjeografike me këtë ekip, skuadër që përfaqëson qytetin ku ai ka lindur edhe jeton, e bën të jetë shumë i drejtëpërdrejtë. Një klub markë e futbollit shqiptar, por që po noton në ujëra të turbullta. Si rrallëherë vitet e fundit, pagesat nuk kanë munguar. Presidenca bardheblu ka qenë korrekte me rrogat e megjithatë kjo nuk ka të thotë sepse rezultatet në fushë mungojnë. Gjergji tregon problemin: “E para njëherë kampionati nuk fillon në janar për Tiranën. Pagesat ti mund t’i kesh të rregullta, por nëse përzgjedh lojtarë të gabuar nuk ka rëndësi se sa i jep atyre. Skuadra nga shtatori deri në dhjetor, ishte më e dobëta e historisë. Qartësisht, ata kanë bërë zgjedhje të gabuar të lojtarëve. Nuk e di kush i ka këshilluar. Por, kanë marrë lojtarë të dobët me pagesa të larta. Pastaj kjo është tjetër temë. E thashë, janë munduar të rregullojnë diçka nga janari, por është vonë”.

“Receta” për Flamurtarin
Flamurtari është një tjetër temë ku Stefa ndalet gjatë. Një skuadër që ka mbushur shkallët e stadiumit. Buxheti i vënë në dispozicion nga presidenti Sinan Idrizi është i konsiderueshëm. Mirëpo as kjo nuk ka mjaftuar për një skuadër kompetitive dhe luftarake, për të qenë larg vendit të fundit në Superiore. “Flamurtari ka një buxhet shumë të lartë dhe një president që i ka ndryshuar fytyrën stadiumit dhe qytetit”. Ai jep edhe një këshillë të drejtëpërdrejtë për presidentin Sinan Idrizi: “Deri tani ka bërë një stadium, ka bërë një ekip, ka marrë një trajner, ka paguar lojtarë dhe është edhe vetë president. Por, ende nuk ka një klub. Më pëlqen angazhimi i djalit të tij, kam shumë besim te djali i tij që po merret me skuadrën e futbollit. Do ta stabilizojë. Këshilla është që të mos i besojë më këshilltarëve që vijnë, sidomos nga politika. Ka pasur shumë njerëz, të cilët kanë përfituar nga Flamurtari, duke sjellë lojtarë, duke marrë komisione, etj, etj. Dhe të bëjë një realitet shqiptar. Ky Flamurtari që luan sot për shembull, me lojtarë si Maksut, si Marku, është një realitet shqiptar. Nëse do të ishte kështu që në shtator, me siguri do të ishte për Final Four”.

Mes ëndrrës dhe rënies
Gjergj Stefa me Sinan Idrizin

Drama e mbijetesës
Nëse në krye të renditjes lufta për titull është e hapur, në fund të tabelës drama është edhe më e fortë. Sepse aty nuk luhet vetëm për pikë, por për mbijetesë. Tirana dhe Flamurtari janë dy nga emrat më të rëndësishëm të historisë së futbollit shqiptar, por sot e shohin veten në zonën e rrezikut. Për një kampionat si Superiorja, ku presioni i historisë është gjithmonë i madh, kjo situatë është shumë më e rëndë sesa për skuadrat e tjera. Pikërisht këtë thekson edhe Gjergj Stefa kur flet për presionin psikologjik që mbartin klubet e mëdha. “Patjetër që për Tiranën dhe Flamurtarin ka presion psikologjik sepse ti futesh në stadium dhe ke emocion sepse janë skuadra të mëdha. Njerëzit duan të bëjnë maksimumin. Ndryshe është për skuadra si Bylisi apo Vora”. Kur një klub i madh nis sezonin me objektiva të mëdha dhe përfundon duke luftuar për mbijetesë, presioni bëhet dyfish më i rëndë. Në rastin e Tiranës, Stefa mendon se problemi ka nisur që në verë, me ndërtimin e gabuar të skuadrës dhe zgjedhjen e stafit. “Tirana për të disatën herë në 20 vitet e fundit ka gabuar në verë me ndërtimin e skuadrës dhe zgjedhjen e stafit teknik dhe stafit drejtues. Janë përpjekur ta korrigjojnë gjatë sezonit, por ndonjëherë kur përpiqesh shumë vetëm i mbivendos gabimet”. Në Vlorë, situata është ndryshe, por po aq e ndërlikuar. Flamurtari ka investuar shumë, ka stadium të bukur dhe tifozë të shumtë, por rezultatet në fushë nuk kanë ardhur. “Është mëkat i madh nëse Flamurtari bie nga kategoria sepse edhe pse është në vend të fundit ka ndoshta numrin më të lartë të tifozëve në stadium”.

Renditja pa verdikte
Tabela e Superiores këtë sezon nuk i jep askujt luksin e qetësisë. Në krye të renditjes, disa skuadra lëvizin brenda një diference minimale pikësh dhe çdo javë ndryshon ekuilibrat e garës për vendin e parë. Vllaznia e Edi Martinit ka qëndruar për një kohë të gjatë pranë majës, por pas saj qëndrojnë gjithmonë në ndjekje kampionia në fuqi Egnatia dhe një Elbasan që këtë sezon është shndërruar në një nga surprizat më të bukura të kampionatit. Partizani i Oltijon Kërnajës vazhdon të mbetet një pretendent serioz për fazën finale, ndërsa Dinamo e ndërtuar për titull ende kërkon stabilitetin që pritej në fillim të sezonit. Në mesin e tabelës, Teuta e Durrësit përpiqet të mbajë një ekuilibër mes ambicieve për t’u afruar me zonën europiane dhe nevojës për të ruajtur distancën nga fundi i renditjes. Ndërkohë drama më e madhe zhvillohet pikërisht aty: Tirana dhe Flamurtari, dy klube me histori të madhe dhe tifozëri të zjarrtë, përballen me një nga betejat më të vështira të viteve të fundit për të shmangur rënien nga kategoria. Në një sezon ku diferencat janë kaq të vogla, çdo javë mund të ndryshojë gjithçka dhe askush nuk mund të ndjehet i sigurt deri në fund.

Mes ëndrrës dhe rënies
Gjergj Stefa dhe Sulejman Starova

Parashikimi
Në një kampionat ku diferencat janë kaq të vogla dhe çdo javë mund të ndryshojë ekuilibrat, edhe parashikimet bëhen të vështira. Megjithatë, duke parë formën e skuadrave dhe zhvillimin e sezonit, Stefa përpiqet të projektojë skenarin e mundshëm të javëve të fundit. “Për skuadrat e Final Four: Egnatia, Vllaznia, Elbasani dhe Partizani”. Katër skuadra me histori dhe realitete të ndryshme, por që këtë sezon kanë arritur të gjejnë vazhdimësinë që shpesh ka munguar në kampionatin shqiptar. Vllaznia me eksperiencën dhe forcën në sulm, Egnatia me stabilitetin e kampiones në fuqi, Elbasani me pragmatizmin dhe entuziazmin e një skuadre që po rikthehet në elitë, ndërsa Partizani me energjinë e një projekti të ri që ka surprizuar rivalët. Sa i përket titullit, Stefa nuk fsheh edhe një dëshirë personale, që lidhet më shumë me historinë dhe emocionin që do të krijonte një finale e tillë. “Do të doja një finale Vllaznia – Elbasani. Imagjino çfarë feste do të ishte në qytetet respektive”.

Një përballje mes dy qyteteve që kanë një traditë të fortë futbolli dhe që prej vitesh presin të rikthejnë titullin kampion. Shkodra që nuk e ka fituar kampionatin prej 2001-shit dhe Elbasani që e kujton ende festën e vitit 2006.

 

Poll

Lexo gjithashtu