Sezoni i rregullt i “Abissnet Superiore” u mbyll me Vllazninë në vendin e parë. Ndërsa katërshja finale plotësohej me ekipin e Elbasanit, Egnatian dhe skuadrën e Dinamos.
Megjithatë, kur vjen puna tek vlera në miliona, asnjë prej këtyre klubeve nuk është në vendin e parë, gjithmonë sipas “Transfermarkt”.
Është Partizani, klubi i Superiores që mban vendin e parë me vlerën 6.6 milionë euro. Ndjekësi më i afërt është Egnatia me 5.88 milionë euro, ndërsa shumë afër rrogozhinasve janë Vllaznia e Dinamo, respektivisht me 5.63 dhe 5.38 milionë euro.
Në vendin e pestë është klubi i Flamurtarit, që dështoi në këtë sezon të Superiores, duke u rikthyer në Kategorinë e Parë. Vlera e klubit vlonjat është jo pak, por 5.08 milionë euro.
Më tej vjen Tirana e gjashta, e cila është shumë larg rivalit të përjetshëm të Partizanit, pasi vlen 4.88 milionë euro. Elbasani me 4.65 milionë euro vlerë mban vendin e 7-të, ndërsa me 4.08 milionë euro renditet i teti Bylisi.
Kështu “puzzle” i plotë i Superiores përsa i përket vlerave të klubeve, plotësohet me Teutën në vendin e nëntë dhe Vorën në të fundit. Durrsakët e kanë vlerën 3.88 milionë euro, ndërsa vorakët kanë një vlerë në “Transfermarkt” prej 3.24 milionë eurosh.


