Në konferencën e ditës së sotme për shtyp te Vllaznia ishte i pranishëm Vioresin Sinani. Drejtori sportiv i shkodranëve ka folur në prag të përballjes që shkodranët do të luajnë me Bylisin.
Në deklaratën e tij është shprehur se Vllaznia sulmohet në shumë krahë dhe të gjithë rivalët i kanë zili sulmuesit e kuqebluve. Ndër të tjera është i sigurtë se ekipi i tij do të rikthehet te fitorja ndaj ballshiotëve në “Loro Boriçi”.
“Atmosfera është normale, e mirë, besoj shumë që kthehemi te fitorja. Jam i bindur që djemtë dhe të gjithë bashkë, stafi, do japim maksimumin dhe Vllaznia do rikthehet te 3 pikët. Jemi në pozicion që edhe lojtarët që kanë pasur probleme po kthehen. Me ekip të plotë besoj që gjërat gjithmonë do bëhen edhe më të lehta”, e nisi fjalën e tij drejtori sportiv.
Çfarë ndodhi në ndeshjet e fundit? Nuk besoj se ka ndodhur ndonjë problem i madh. Jo për justifikim, por kemi pasur 4-5 lojtarë të dëmtuar që nuk është e thjesht, është gjysma e ekipit. Jam shumë i kënaqur që kanë ardhur nga dëmtimet. Kur vijnë nga dëmtimet, është shumë vështirë që të kthehen 100% në ditën e parë, duan 2-3 javë që të kthehen të plotë. Besoj se jemi në rrugën e duhur.
A ka ndikuar presioni? Nuk besoj se ka presion. Jo më kot unë me trajnerin bashkë, jemi munduar ta mbajmë ekipin larg presionit. Kemi djem me eksperiencë dhe jemi shumë të kënaqur prej tyre. Dinë ta mbajnë presionin. Presioni është për skuadrat e mëdha, Vllaznia është skuadër e madhe në Shqipëri. Ne gradualisht do shkojmë aty ku duhet.
Mungesa e Gjinit? Gjini është një lojtar shumë i rëndësishëm për Vllazninë, por jam i bindur se pjesa që e zëvendëson besoj se do bëjnë më të mirën. Dhe nuk kam asnjë dyshim.
Bylisi? Vlerësim maksimal. Të gjithë bashkë jemi dëshmitarë që nuk ka asnjë skuadër të lehtë. Të gjithë ta vështirësojnë punën, luajnë për pikë, luftojnë. Nuk ka nënvlerësim për asnjë skuadër. Djemtë e dinë që duhet maksimumi me 100% e tyre, jam i bindur që do fitojmë.
3 ndeshje me fundin e tabelës? Ne mendojmë ndeshjen e radhës, që është Bylisi. Të tjerat do vijnë pas Bylisit. Ndeshjet luhen një nga një. Nuk ka si të mendojmë për tri ndeshje përherë. Do kalojmë Bylisin me sukses, pastaj mund të mendojmë për ndeshjet e tjera.
Deklaratat? Nuk besoj se kanë ndikuar. Të gjithë e dinë që Vllaznia ka ekip të mirë, që Vllaznia është ekip që do pretendojë për çdo trofe këtë vit. Duke parë një ekip të mirë si Vllaznia, gjithmonë do sulmohesh në shumë krahë. Besoj jemi të fortë, me këmbë në tokë dhe ekip korrekt. Me lojtarët që kemi, jam i bindur që do kemi sukses deri në fund.
Sulmi i Vllaznisë? Mendoj se nuk ka asnjë krizë, as në sulm dhe asnjë problem tjetër në skuadër. Do kthehet te rezultatet pozitive. Me sulmin jemi shumë të kënaqur, kemi një lojtar si Bekim Balaj që prej dy vitesh është golashënuesi më i mirë. Vazhdon të jetë dhe jep shpirtin për ekipin. Kemi lojtar si Bismark, që është super futbollist, por me problemet e dëmtimeve që nuk i ka në dorë askush. Dhe nuk i uron askush. Besoj do kthehet në formën e tij më të mirë, nuk shoh asnjë problem. Sulmuesit tonë i kanë zili të gjithë ekipet shqiptare.
Loja në Elbasan? Lojën e Elbasanit e patë si shkoi, e përgjithshmja është se lojtarët dhanë shpirtin dhe luajtën një ndeshje mjaft të mirë. Jam i bindur që rezultatet do vijnë me lojëra të mira. Kjo ishte një sinjal mjaft i mirë. Elbasani ka një ekip mjaft të fortë. Jam i bindur që do ecim në rrugën e duhur”, ka theksuar Viorentin Sinani.
