
Tirana ka triumfuar në derbi përballë Partizanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, përfundoi 3-0 në favor të bardhebluve. Në përfundim të këtij dueli ka folur "Lojtari i Ndeshjes", Walid Jarmouni i cili shënoi 2 gola.
“Më motivuan të gjitha sot, si derbi dhe pozicioni në tabelë. Duhej ta fitonim patjetër pasi ishte shumë e rëndësishme për ne, por për të bërë krenarë edhe tifozët që na mbështesin gjithmonë. Nuk ishte aspak e thjeshtë përballë Partizanit, kemi punuar shumë me trajnerin. Rezultati 3-0 nuk do të thotë se kjo fitore dhe ndeshje ishte e lehtë për ne.
12 gola, 2 më pak se kryesuesit, mendoni për “Këpucën e Artë”? Nuk më intereson nëse e fitoi apo dal lojtari më i mirë i ndeshjes. E rëndësishme është që të shënoj dhe të bëj mirë me ekipin, ta kalojmë së bashku këtë situatë. E treguam edhe sot që besojmë të qëndrojmë në Superiore, do bëjmë maksimumin edhe në 3 ndeshjet e ardhshme”, tha Jarmouni.