
Derbi i kryeqytetit ka qenë një derb rekordesh në shumë aspekte dhe këtë po e manifeston dhe përtej detit Adriatik.
Mediat italiane kanë parë me interes zhvillimet në supersfidën e kryeqytetit, që është dhe takimi më i dëgjuar dhe i njohur për ndërkombëtarët. Jo më kot Partizani-Tirana cilësohet ajka e futbollit shqiptar dhe Superiores.
Mirëpo, goli i minutave të fundit që solli emocione tek tifozët e kuq, agresiviteti dhe mbi të gjitha kartonët e kuq kanë ngjallur audiencë dhe në Itali. Fakti se janë akorduar 7 të kuq është parë si e çuditshme në gadishullin apenin.
I cilësuar si derbi i Shqipërisë, gazetarët italianë i kushtojnë postim derbit të Tiranës duke vënë fokusin tek dora e rëndë e arbitrit, i cili ishte Eldorjan Hamiti.
Lezhjani nuk i kurseu aspak dënimet brenda 1 minuti, 4 për ata që ndodheshin në stol dhe 3 për lojtarët e fushës.
Sherr me policët, sherr në fushë, kartonë gjithandje deri te pankinat dhe një stadium që pret derbi për herë të parë. Ky derbi kishte shumë vlera për të bërë jehonë deri në Europë.
