Tirana pret Vorën në javën e 29-të në Abissnet Superiore, sfidë e cila pritet të luhet në orën 15:00 në stadiumin “Selman Stermasi”.
Bardheblutë vijnë nga një fitore po në shtëpi me Bylisin duke marrë tri pikë të rëndësishme nga ajo përballje direkte për qëndrimin në Superiore, teksa Vora u ndal javën e fundit nga Partizani në barazimin 2-2.
Për të dyja skuadrat, takimi i sotëm është i një rëndësie madhore, duke parë dhe kalendarin e mbetur të këtij sezoni. Skuadra e Orges Shehit do bëj çmos të marrë fitoren e radhës po në kryeqytet për t’u larguar nga zona e rënies, ndërsa miqtë të drejtuar nga Arjan Bellai vihen në testin e forcës për të mbajtur pozitën e play-off.
Vorakët e kanë harruar shijen e fitores prej 9 ndeshjesh dhe do kërkojnë kthesën ndaj 26 herë kampionëve të Shqipërisë, duke shfrytëzuar dhe barazimin pa gola në Ballsh mes Bylisit dhe Flamurtarit, pasi diferenca mes Vorës dhe ballshiotëve është vetëm tre pikë.
Pikët janë “detyrim” për të dyja skuadrat dhe një frenim i radhës do ndërlikonte seriozisht objektivat e të dyjave për të qëndruar sërish mes më të mirave të kampionatit edhe sezonin e ardhshëm.
