
Mbrëmja e djeshme për Dinamon dhe të gjithë tifozët e saj do të mbahet mend gjatë. Kjo pasi “Blutë” siguruan për herë të parë kualifikimin në “Play-Off”, ku do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Conference League.
Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja mposhti me rezultat 4-3 skuadrën e Hajduk Split. E për këtë sukses ka reaguar edhe Itodo Mandela. Sulmuesi siç dihet prej disa ditësh është larguar nga Dinamo dhe vazhdon karrierën në Ukrainë, por siç duket nuk i ndahet “zemra” nga ish-skuadra.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale në “Insta-Story”, nigeriani është mjaft i lumtur për kualifikimin e Dinamos, ndërsa shkruan se Ilir Daja është “magjistari” i këtij suksesi.
Itodo i jep kështu të gjitha meritat Dajës, me këtë të fundit që po bën mjaft mirë me dinamovitët.

