
Superiorja luajti dje më 16 mars, 3 sfidat përmbyllëse të javës së 30-të të Superiores. Si çdo javë, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët. Nga porta në sulm, të gjithë në një mënyrë ose tjetër kanë dhënë kontributin e tyre në arritjen e objektivave. Më poshtë njihuni me 11-shen më të mirë si dhe trajnerin fitues.
Tony Batista (Bylis): Një paraqitje majft e mirë nga portieri 32-vjeçar në ndeshjen përballë Laçit. Braziliani ishte vendimtar, sidomos në rastin përballë Traore duke mbajtur topin e paprekut dhe ndihmuar ekipin e tij të barazojë 0-0.
Lorran (Dinamo): Një lojë mjaft e mirë si në aspektin difensiv dhe atë ofensiv. Shpeshherë ndihmonte ekipin e tij edhe në sulm, pa lënë mënjanë edhe mbrojtjen, duke ndalur me sukses aksionet e Elbasanit.
Arlind Kurti (Laçi): Mbrojtësi i Laçit tregoi kualitet në repartin difensiv të ekipit të tij. Ndërhyrjet e tij ishin të sakta dhe vendosja mëse preçize. Gjithashtu në fund të takimit, Kurti u shpall “Lojtari i Ndeshjes”.
Sigitas Olberkis (Elbasani): Një tjetër ndeshje mjaft e mirë nga mbrojtësi lituanez. Në qendër të mbrojtjes së Elbasanit, Olberkis po bën mjaft mirë, ku ka sjellë kualitet dhe shumë eksperiencë, duke qenë stabil pothuajse nga ndeshje në ndeshje.
Agan Mjaki (Laçi): Tjetër ndeshje mjaft e mirë për mbrojtësin e djathtë të kurbinasve. Duke u kombinuar me Kurtin apo dhe Manellarin, Mjaki ka bërë mjaft mirë në krahun e djathtë. Ai nuk u shfaqe mirë vetëm në anën difensive, por edhe në sulm ndihmon shpesh, siç jemi mësuar ta shohim kohët e fundit.
Matias Lloci (Teuta): Mesfushori 24-vjeçar po kalon një moment të mirë. Nëse Teuta ndodhet në situatë të vështirë duke luftuar për mbijetesë, Lloci po bën të kundërtën, duke treguar vlera të mëdha nga ndeshja në ndeshje. Ai tregoi cilësi të jashtëzakonshme edhe përballë Partizanit.
Ian Soler (Tirana): Ishte një nga protagonistët kryesorë në barazimin që bardheblutë morën 1-1 përballë Egnatias në transfertë. Përveç se shënoi golin, mesfushori u tregua mjaft i saktë dhe preçiz në pasime dhe zhvillimin e lojës, duke treguar aftësi të një niveli të lartë.
Karamba Gassama (Dinamo): Një ndeshje majft e mirë për Karambën në barazim 1-1 përballë Elbasanit. Ai zhvilloi një sfidë mjaft cilësore, teksa atë performancë e vulosi me golin e shënuar.
Lorenco Vila (Dinamo): Zhvilloi një ndeshje mjaft pozitive në barazimin 1-1 përballë Elbasanit. Vila u rikthye aty ku ishim mësuar të shihnim, teksa asistoi në golin që u shënua nga Karamba.
Ardit Nikaj (Skënderbeu): Duket se sulmuesi Nikaj nuk kishte kimi vetëm me Ermir Rashicën. Diçka të tillë e tregoi në ndeshjen përballë Vllaznisë që fitoi 1-2. Ai asistoi në golin e parë të shënuar nga Nasr.
Saleh Nasr (Skënderbeu): Sulmuesi egjiptian duket se është përshtatur mjaft mirë me korçarët. Atë e tregoi më së miri në transfertën përballë Vllaznisë, të cilën Skënderbeu e fitoi 1-2, pikërisht me dygolëshin e Nasr.
Trajneri i Javës / Ernest Gjoka (Skënderbeu): Një vendosje perfekte e ekipit korçar, nga mbrojtja në repartin e sulmit. Një fitore shprese për mbijetesë dhe sigurisht meritë kishte trajneri.
