
Elbasani dhe Partizani brazuan në supersfidën e vlefshme për javën e 9-të të Superiores, e zhvilluar ditën e diel. Sfida e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me rezultatin 1-1.
Në përfundim të kësaj sfide, pala elbasanase kishte shumë polemike për një ndërhyrje të Bytyçit brenda zone, me verdheblutë që kërkonin penallti.
Pikërisht për këtë moment, por dhe për Partizanin e objektivat e tij, ka folur mesfushori i “kuq”, Adnard Mehmeti në një prononcim të dhënë për Newsport.al. Përsa i përket mosakordimit penallti të rastit të Bytyçit, Mehmeti thotë se vendimi i arbitrit ishte i drejtë.
“Jemi duke punuar shumë, me këtë punë që jemi duke bërë jemi në atë drejtimin e duhur për të kryesuar kampionatin deri në fund. Besoj se do ja dalim. Sfida me Elbasanin? Mendoj që ne lamë 2 pikë, pasi kishim raste për të përfunduar ndeshjen, por s’ishte fati me ne. Vendimi i arbitrit për ndërhyrjen e Bytyçit në fundin e sfidës, mendoj se ishte vendim i drejtë. Të paktën në opinionin tim. Objektivat e mia janë që të jem pjesë e Kombëtares shqiptare dhe sigurisht të kem një sezon të mirë pa dëmtime. Kjo ka rëndësi më së shumti”, është shprehur Mehmeti. /Nikoll RAJTA/