Tirana dhe Partizani do të përballen këtë të diel, në kuadër të javës së 15-të të Superiores. Derbi i kryeqytetit që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 18:00. Ndërkohë që në prag të këtij dueli ka folur një ish protagonist, Emmanuel Ernest.
Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, ish-sulmuesi i Tiranës që ka shënuar përballë të kuqve në dy derbit e fundit është shprehur shumë optimist për bardheblutë, madje duke e cilësuar veten ende pjesë të tyre, ku shprehet me “ne”.
Ernest beson shumë se Tirana do të bëjë kthesën e madhe, duke filluar që nga derbi, për të cilin mendon se ish-ekipi i tij do të triumfojë 2-1. Ndër të tjera ka edhe një mesazh për tifozët bardheblu.
Si e shihni Tiranën këtë sezon, gati për derbin?
Tirana ka pasur shumë vështirësi këtë sezon, për shkak të disa rrethanave të ndryshme që është gjendur. Megjithatë, derbi është për Tiranën dhe gjithmonë do të jetë për të. Tirana është gati për një ndeshje të tillë
Çfarë emocionesh keni kur kujtoni dy golat e shënuar përballë Partizanit?
Emocione të papërshkrueshme në fakt. Kur kam shënuar gol në derbi, më kujtohen tifozët. Më kujtohet se si ata gëzonin në stadium kur fituam, britmat dhe brohoritjet e tyre, sigurisht që edhe gëzimi i miqve të mi.
Cila mendoni se është pika më e fortë e Tiranës që mund të bëjë diferencën në derbi?
Shpirti. Shpirti i Tiranës është shumë i fortë dhe kjo ka të bëjë shumë. Prandaj them që shpirti është arsyeja pse ne mund ta fitojmë këtë derbi.
Ndonjë këshillë për lojtarët e rinj, debutues në derbi?
Lojtarët e rinj duhet të luajnë sa më mirë, të japin maksimumin e tyre. U them që duhet të lënë në fushë gjithçka kanë brenda tyre, pa menduar për asgjë tjetër, vetëm për derbin. Lini gjithçka në fushë pa ju ardhur keq.
Mendoni se ish-ekipi juaj do mbijetojë në Superiore, duke parë formën jo të mirë deri tani?
Ka ende kohë. Kemi ndeshje përpara, por ka kohë për një kthesë të madhe. Periudhat e tilla të këqija dhe të vështira janë pjesë e futbollit, por Tirana do ia dalë që ta kapërcejë këtë situatë.
Një mesazh për tifozët bardheblu në këtë moment të vështirë?
Një mesazh shumë i thjeshtë. Tirana është skuadra më e madhe dhe më e suksesshme në Shqipëri, bardheblutë do të kthehen shumë shpejtë. Do t’ia dalim.
Dhe e fundit, rezultati përfundimtar sipas jush?
Sigurisht, mendoj që do të fitojë Tirana. Rezultati mendoj se do të jetë 2-1 për bardheblutë.
