Egnatia ka triumfuar përballë Dinamos në ndeshjen e vlefshme për Final Four të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me shifrat 2-0 në favor të rrogozhinasve.
Këta të fundit që u shpallën kampionë në “Abissnet Superiore”, për herë të 3-të radhazi. Pas këtij dueli ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Një sezon i gjatë, pothuajse në fund të majit të gjitha kanë përfunduar. Deri në ditën e fundit tre ekipe ishin në garë për titull, fati i buzëqeshi Egnatias, por edhe kontributi, pasi fitoi edhe ndeshjet e Final Four. Për mua një kampionat i bukur, me garë, por edhe në luftën për rënien nga Kategoria. Ishte e vështirë, por rezultati i pjesës së parë në Elbasan i dha një drejtim gjësë, që ne të vinim për të organizuar ceremoninë.
Emocione deri në minutën e fundit. Final Four s’do të jetë më, kampionat me më shumë ekipe? Është e pamundur që të kemi një ndryshim të numrit të skuadrave, në rregullat e FSHF-së. Ndërsa për formatin, është diçka që ne duhet ta diskutojmë. Mesa duket, le të themi tifozëritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë në Tiranë. Pjesëmarrja në Final Four nuk ka qenë e kënaqshme, sigurisht e ka penalizuar mospjesëmarrja e Partizanit dhe Tiranës. Kështu që, për edicionin tjetër do të rishohim se çfarë formati do të kemi. Skuadra nuk do të shtohen në edicionin 2026/2027, nuk e di nëse do të luajnë katër faza apo do të ketë play off. Do i shohim të gjitha versionet dhe do të marrim një vendim.
Egnatia për herë të 3-të kampione? Do të më pëlqente që të kishte shpërndarje, por nuk është vendim që e marrim ne. E marrin vetë ekipet me atë që japin në fushë. Kisha vërtetë dëshirë që Elbasani ose Vllaznia që e pret prej shumë vitesh këtë titull. Por ky është futbolli, nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël”, tha Duka.
