
Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic i ftuar në “Elite Show” në SuperSport ka folur për “Final 4”, aty ku ekipi i tij do të përballet me Partizanin më 17 maji. Gjithashtu, tekniku serb shpjegon edhe atë falenderim që i bëri Vllaznisë në përfundim të ndeshjes që korçarët e fituan 1-5 në “Loro Boriçi”.
“Kur mbaroi ndeshja, të gjithë tifozët ishin me ne. Thashë faleminderit, sepse kemi shumë respekt për tifozët e Vllaznisë. Ishte e çuditshme se të gjithë tifozët shkodranë ishin me ne, kjo ishte e gjitha, prandaj thashë faleminderit Vllazni”, u shpreh fillimisht Gvozdenovic.
Përballë Partizanit në “Final Four”?
“Ka shumë rivalitet mes Partizanit dhe Skënderbeut. Ndeshjet edhe këtë sezon ishin të bukura dhe interesante. “Final Four” është tjetër gjë, një ndeshje, Partizani është shumë i fortë, por ne jemi Skënderbeu, jemi shumë të motivuar të shohim si do të dalim të premten”.
Skënderbeu, pa presion…
“Kjo është plus, sepse nuk kemi presion si Shkodra, Partizani apo Egnatia. Ne luftojmë për trofeun, jemi këtu, pa presion të madh”.
Barazimi me Laçin, momenti i kthesës?
“Ishim afër “play out”-it, pastaj një top që ra na dorë, penallti për ne. Pas golit, nga frika që mund të shkonim në “play out”, kaluam në ambicien për Final Four”.