
Nesër në orën 19:00, Teuta e Enkeleid Dobi do kërkojë “mrekullinë” ndaj Elbasanit kryesues. Ndeshja do të mbahet në “Elbasan Arena”, teksa favorit në “letër” është ndjeshëm ekipi i Ivan Gvozdenoviç. Trajneri Dobi ka kërkuar përqendrim nga ekipi i tij, ndërsa nuk ka frikë të shprehet se durrsakët do futen në fushë për fitore:
“Seria pozitive ka domethënien e vet. Lojtarët janë në shinat e duhura, në linjën e duhur. E kam thënë disa herë, rezultati është më i rëndësishmi. Pres një fokusim jashtëzakonisht të madh. Pres stabilitet nga loja jonë dhe vazhdimësi. Çelësi është të bësh më pak gabime. Do futemi në fushë vetëm për të fituar, jo për të ndejtur në fushë. Mentaliteti, dëshira, vullneti, angazhimi janë për të hyrë në fushë dhe të fitosh. Se çfarë ndodh pastaj është gjë tjetër.
Çdo ndeshje është e vështirë. Ndryshimi midis ekipeve në kampionatin shqiptar nuk është shumë i madh. Ne e respektojmë gjithmonë kundërshtarin. Por fillimisht respktojmë veten tonë, nëse do të shkosh në një nivel më të lartë. Kështu që ne fokusohemi të puna jonë, te vazhdimësia dhe duhet t’i përshtatemi edhe ekipit kundërshtar.
Koncentrimi dhe organizimi i lojës në pjesën e parë nuk ishte aty ku duhej ndaj Vllaznisë. Gjatë gjithë kohës, mendojmë, shikojmë, mundohemi të gjejmë formacionin e duhur, të gjejmë ‘ilaçin’ e duhur për ditën e duhur. Ndoshta do ketë disa ndryshime. Deri tani, skuadra ka dhënë një reagim jashtëzakonisht të mirë, pavarësisht disa oshilacionve”.