Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

“Dinamo do hakmarrje për ndeshjen e parë”, Enkeleid Dobi: Kërkojë ndeshje gati perfekte për të marrë rezultat pozitiv  

Shkruar nga NEWSPORT
“Dinamo do hakmarrje për ndeshjen e parë”, Enkeleid Dobi:
Enkeleid Dobi

Humbja me Egnatian e ka “zbehur” disi Teutën e Enkeleid Dobi. Kundër rrogozhinasve, durrsakët pësuan humbjen e parë për këtë sezon në Superiore. Takimi i radhës është nesër ndaj Dinamos në transfertë. Në prag të kësaj përballje ka folur trajneri Dobi, teksa kërkon reagim nga të tijtë:

Mister, Teuta pësoi humbjen e parë këtë sezon ndaj Egnatias. Si e përjetuat këtë ndeshje?
Normale që çdo humbje ka keqardhjen e vet. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për mënyrën si rrodhi loja. Ishte një ndeshje që nuk e meritonim ta humbnim, ishte më shumë për 0-0.

Duhet ta pranojmë që as ne nuk krijuam aq shumë raste për ta fituar. Unë mendoj që ishte një ndeshje për 0-0. Bëmë një gabim të dyfishtë, të cilin e kemi analizuar dhe nuk duhet të ndodhë më, sepse duhet të mbajmë balancat, të ruajmë pjesën defansive dhe të sulmojmë me kujdes. Humbja është pjesë e jetës dhe pjesë e lojës. Ne kemi një shprehje që e përdorim në dhomat e zhveshjes: “Unë nuk humbas, unë ose fitoj ose mësoj.” Tani jemi përqendruar te ndeshja e radhës.

Si ka qenë gjendja e grupit pas kësaj ndeshjeje?
Ka qenë disi e vështirë për dy arsye. Këto dy ndeshjet e fundit na kanë ndikuar emocionalisht për shkak të mungesave të Albi Dokës dhe Gabriel Gomes.

Ishim të vetëdijshëm që nuk ishte momenti i duhur për t’i humbur, por urojmë që Zoti mos t’ia sjellë askujt, sepse janë pjesë e lojës dhe e jetës. Vetvetiu, nuk ishim të përgatitur për këtë mënyrë, por jeta vazhdon, futbolli vazhdon.

Kemi një grup solid dhe tani është mundësia që disa lojtarë të tjerë, që nuk kanë pasur shumë hapësira, të tregojnë vlerat e tyre. Siç themi shpesh: ‘Fati i keq i dikujt është fati i mirë i dikujt tjetër’. Ky është momenti për të treguar sa i fortë është ky grup dhe në ndeshjen e radhës duhet të reagojmë.

Kundërshtari i radhës Dinamo. Si e shikoni këtë ndeshje?
Është një ndeshje e vështirë. Do të luajmë kundër një ekipi jashtëzakonisht të fortë, me një organizim loje shumë të mirë. Jemi të vetëdijshëm, ta themi në thonjëza, që Dinamo do ‘hakmarrje’ për ndeshjen e parë. Është një skuadër e fortë dhe mund të themi një nga kandidatët për titull kampion.

Por nëse ti dëshiron të jesh pjesë e më të mirëve, duhet të luash dhe të fitosh kundër më të mirëve. Ne e treguam këtë në ndeshjen e parë, por kjo është tjetër ndeshje, asnjë ndeshje nuk i ngjan tjetrës.

Ne duhet të fokusohemi te loja jonë, te qëllimi dhe organizimi ynë, sepse aty kemi ndikim. Normalisht do të përshtatemi edhe me kundërshtarin; e vlerësojmë dhe e respektojmë Dinamon, por duhet të nisemi duke vlerësuar dhe respektuar veten tonë.

Çfarë duhet të ndryshojë Teuta në lojën e saj për të fituar ndaj Dinamos?
Jemi në proces rritjeje. Nuk do të thosha se duhet të ndryshojmë gjithçka, por duhet të mos kënaqemi me atë që kemi treguar deri tani.

Duhet të përmirësohemi, sepse çdo ndeshje është ndryshe, ndryshon nga mënyra si interpretohet, nga gjendja e lojtarëve dhe nga situatat e ditës.

Mendoj se pas ndeshjes me Egnatian duhet të ndryshojmë vetëm në aspektin e fokusit. Siç e thashë, në futboll fiton ai që gabon më pak. Duhet të bëjmë një ndeshje sa më afër perfeksionit për të marrë një rezultat pozitiv.

Në 9 javë keni grumbulluar 14 pikë. Jeni i kënaqur?
Njeriu asnjëherë nuk është plotësisht i kënaqur, gjithmonë pret më shumë. Por për kohën e shkurtër që kemi marrë përsipër ne si staf, si klub dhe me ndihmën e presidencës, duhet të jemi të kënaqur me këtë ecuri, edhe pse gjithmonë ka vend për më mirë.

Donim që fazën e parë ta mbyllnim në katër vendet e para, dhe megjithëse nuk ndodhi, jemi të vetëdijshëm që kemi qenë aty pranë. Unë si trajner dhe ne si staf jemi të kënaqur me mënyrën se si skuadra po interpreton lojën, me angazhimin dhe karakterin që po tregon. Mendoj që e meritojmë të jemi aty ku jemi.

Poll

Lexo gjithashtu