
Partizani do të përballet me Tiranën nesër në “Arenën Kombëtare” për derbin e katërt të këtij sezoni. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për të dyja ekipet, tekniku i “demave të kuq” Skënder Gega doli në konferencë për shtyp për mediat.
“Derbi ndaj Tiranës?
Secili ka patur vështirësi në klubet e tyre edhe ne kemi problemet tona. Në pak ditë kemi 3 ndeshje. Dy ndeshjet e para i kemi kaluar me sukses, por kemi harxhuar energji. Në të njëjtën kohë na kanë bërë mirë sepse po ingranohemi dhe angazhohemi ashtu si duhet me kërkesat që ne kemi. Derbi mbetet derbi në çdo situatë në çdo kohë, panvarësisht klasifikimit të ekipeve. Ne jemi rivalë të përjetshëm. Mua si trajner por dhe si ish futbollist më takon të flas me respekt për historinë e Tiranës, sepse një pjesë prej tyre i kam shokë, miq dhe kemi përfaqësuar Shqipërinë bashkë. Në këtë aspekt ka vlera kjo ndeshje. Pikët janë të domosdoshme për ne pasi jemi në një pozicion që duhet vërtet të bëjmë mirë. Për 90 minuta jemi rivalë, për 90 minuta secili kërkon suksesin. Nuk është e lehtë, nuk mund të them çfarë do të ndodh, por ne do hyjmë me besim për objektivat tona.
Çfarë doze keni gjetur që ndryshuat Partizanin brenda pak ditësh?
Në çdo vend që shkon trajneri mundohet të bëj më të mirën, ky është profesioni. Këtu ka një dozë dashamirësie dhe mikpritje kjo të bën që të japësh edhe rezervat që ke sepse çdo gjë e ke nga kontributet aty ku je rritur. Nga klubi jam pritur shumë mirë dhe kjo më ka bërë që në çdo gjë të ndihem komod. Me futbollistat çdo ditë po njihemi dhe po kuptohemi më mirë. Jam shumë i kënaqur, do doja të isha përgjithmonë, do doja të isha për shumë kohë, por i tillë është futbolli, të tilla janë planet e çdo klubi. Sot jam këtu dhe dua të shikoj vetëm përpara, nuk kam qejf ti kthej mbrapsh gjërat.
Ndoshta nuk do ta kishit dashur Tiranën në këtë pozicion të renditjes?
Nuk jemi ne që i caktojmë ecuritë e kundërshtareve apo rivalëve. Historikisht në çdo pozicion që është Tirana apo Partizani kjo ndeshje është ndër më të rëndësishmet e Kategorisë Superiore panvarësisht klasifikimit. Eshtë ndeshje për qytetin, është edhe për dy tifozeritë, kanë shansin e tyre të mbështesin në mënyrën e tyre. Çdo gjë është pozitive. Eshtë një ditë që të jep adrenalinë . Po ta kuptojnë lojtarët që drejtoj unë se çfarë klubi përfaqësojnë dhe çfarë mbështetje kanë do të japin më tepër. Çdo gjë po shkon mirë deri tani.
Gjendja e skuadrës, dihet Bytyçi do të mungojë për efekt kartonësh?
Pjesa tjetër e skuadrës po mundohet të punojë shumë mirë. Jemi munduar që lojtarët që kanë superngarkesë siç është Bintosuka por edhe të tjerët që kanë ardhur me vonesë të rikuperohen në maksimum. Akoma deri tani nuk kemi vendosur për nesër. Eshtë një grup shumë serioz është një grup i ri, kanë nevojë për mbështetje, për fjalën e mirë, kanë nevojë për ti dhënë besim. Jemi munduar secilit ti trasmetojmë që je pjesë e rëndësishme e ekipit e klubit. Shpresojmë që deri nesër të pushojnë më tepër. Përsa i përket gjendjes së skuadrës është fundi i kampionatit dhe normalisht ndeshjet e ngjeshura, kalendari ka bërë që të rëndohen. Panvarësisht se nuk janë të gjithë në një prerje do mundohemi ti fusim aty ku duhet në pozicionin e duhur. Ti nxjerrim nga loja në momentin e duhur, sepse kemi edhe të tjerë rezerva. Çdo njeri ka një marrëveshje me këtë klub. Sikur edhe 3 sekonda ti kërkohet për një zëvendësim duhet të jenë me respekt sepse kështu funksionon.
Do të kemi një Partizan agresiv për të fituar derbin dhe kënaqur tifozët?
Nuk luhet futboll pa pasion dhe pa agresivitet. Agresiviteti nuk është privilegj që i jepet klubit, është për detyrë të jesh agresiv. Jam i bindur se mënyra si do të luajm ne, si do vendosemi do mundohemi ti japim të gjitha. Edhe derbi nganjëherë i bën lojtarët emocional dhe i përfshin me vete. Do mundohemi ti themi të jenë gjithmonë të vemendshëm, të bëjnë gjithmonë ato që ne kemi punuar gjatë këtyre ditëve. Jam i kënaqur me mënyrën si po përgjigjen dhe nesër nga minuta e parë e deri kur të bjerë bilbili të jemi të qetë , pa presion. Të mendosh që të mos jesh agresiv në derbi është e papranueshme. Ti në çdo ndeshje duhet të jesh agresiv , adrenalina e derbit të shton dozën e agresivitetit por fair-play duke ruajtur edhe veten tonë duke qenë fair-play në 90 minuta duke u fokusuar ke puna jonë jo çfarë ndodh rreth e rrotull shpresoj tia dalim
3 ndeshjet e para derbi janë mbyllur në barazim?
Ne do hyjmë nesër të marrim maksimumin. Maksimumi në futboll dihet ka 3 pikë ka 1 pikë. Të jem i sinqertë nuk jam natyrë që parashikoj. Nëse kanë dal 3 ndeshje barazim i ka dhënë qetësi, janë të pranueshëm në derbi. Mbetet të shikojmë , nuk e di nëse do të jetë barazimi i katërt për këtë sezon, por do të futemi për të marrë maksimumin.”, u shpreh Gega.