
Superiorja ka edhe 6 ndeshje drejt fundit të kampionatit dhe secila prej tyre tashmë do të jetë një “finale” për Tiranën dhe bardheblutë. Kjo pasi siç dihet në këtë sezon, kryeqytetasit do të tentojnë të mbijetojnë mes më të mirëve dhe të shpëtojnë një sezon të dështuar.
Në 6 sfidat e mbetura, ekipi i Bledi Shkëmbit do të përballet me skuadra si Bylisi, Elbasani, Partizani, Skënderbeu, Teuta dhe në fund me Dinamon. Në këtë listë përjashto 2 derbet e kryeqytetit, 4 duelet e tjera janë thuajse direkte për mbijetesë mes ekipeve dhe këto takime do të vendosin shumë mbi fatet e bardhebluve në këtë sezon.
Skënderbeu dhe Teuta janë ekipe aktualisht poshtë Tiranës, po në lojë për mbijetesën, ndërsa Elbasani e Bylis ndodhen më lart në klasifikim, por kanë diferencë të vogël mes tyre. Kështu për Tiranën do të jenë të gjitha finale dhe direkte për mbijetesën, ku sigurisht stafi me në krye Shkëmbin do të kërkojnë maksimumin e pikëve për të bërë të mundur qëndrimin mes më të mirëve.
