Tirana do të luajë të dielën kundër Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Një sfidë që ka prodhuar gjithmonë spektakël, pavarësisht situatave në të cilën janë gjendur të dy skuadrat.
Në krye të bardhebluve është rikthyer një “ish” si Gugash Magani. Peqinasi e njeh mirë ambientin kryeqytetas e veçanërisht përballjen me Partizanin. Ndaj të kuqve do të tentohet të merret një rezultat pozitiv, paçka se ekipi është i gjithë i formatuar me lojtarë të rinj.
Gugash Magani është një “ekspert” i kampionatit shqiptar dhe po të rikthehemi pas në kohë, statistikat flasin në favor të tij, veçanërisht kur ka qenë në krye të Tiranës. Bëhet fjalë për sezonin 2013-2014, kur presidenti Refik Halili shkarkoi Sokol Bulkun për rezultate të dobëta. Me të ardhur në krye të skuadrës, Magani mori në dorë “frerët” e ekipit duke arritur ta shpëtonte nga rënia nga kategoria.
Asokohe, bardheblutë arritën të koleksionin plot 35 pikë në 15 ndeshje. Në 10 takime triumfuan, 4 i humbën dhe 1 e mbyllën në barazim.
E pikërisht në një moment kur skuadrat gjenden në pozita të kundërta në tabelën e klasifikimit, Magani mund të përsërisë sërish historinë. Bardheblutë gjenden në vendin e shtatë me 15 pikë, ndërsa Partizani kryeson me 27 pikë.