
Superiorja është tashmë vetëm 3 ndeshje larg fundit të këtij sezoni. Një kampionat i “çmendur” i cili po na mban të mbërthyer deri në fund për të mësuar se si do të jetë klasifikimi i skuadrave.
Një luftë e fortë po zhvillohet mes 6 skuadrave për mbijetesën dhe “Play-Out”, teksa ditën e djeshme janë mësuar edhe verdiktet e para sa i takon zonës së “Final – Four”.
Kështu Egnatia dhe Dinamo kanë siguruar matematikisht kualifikimin në “Final – Four”. Aktualisht rrogozhinasit janë 11 pikë më shumë se Partizani i vendit të 4-të dhe 15 pikë më shumë se Elbasani i vendit të 5-të. Në këto kushte janë njëra prej ekipeve që tashmë ka arritur qëllimin e saj parësor, pasi tashmë siç dihet janë edhe 9 pikë në lojë.
Ndërkohë dinamovitët e Ilir Dajës pas barazimit me Teutën kanë 3 pikë më pak se Egnatia, por kanë 8 pikë më shumë se Partizani dhe 12 pikë më shumë se Elbasani. Edhe në këtë rast “Blutë” janë skuadar e dytë që siguron matematikisht një vend në “Final – Four”.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pas 2 ndeshjeve të fundit të javës së 33-të që do të luhet ditën e sotme. Saktësisht Egnatia do të presë Elbasanin, ndërsa Tirana dhe Partizani është dueli tjetër i kësaj dite.