
Vllaznia duket se ka humbur shumë nga performanca e këtij fillim viti. Shkodranët tashmë në kampionat nuk e njohin fitoren prej 4 ndeshjesh, duke humbur kështu mundësinë për të kapur vendin e parë, i cili është larg 6 pikë.
Vetëm 2 pikë në 4 ndeshje janë shumë pak për kuqeblutë, të cilët këtë sezon si objektiv kanë titullin kampion. Humbja e fundit në shtëpi me Laçin ka futur në “krizë” ekipin e Qatip Osmanit.
Kukësi ishte skuadra që i dha fund ecurisë fantastike të shkodranëve, me verilindorët që fituan 2-0 në “Kukës Arena”. Pas kësaj ndeshje kuqeblutë kanë barazuar me Erzenin 1-1 dhe me Partizanin 0-0, ndërsa këtë javë u mposhtën nga kurbinasit.
Në Shkodër nuk kanë kohë për të humbur, pasi sfida e radhës është afër. Kundërshtari i radhës ndaj të cilit do të kërkojnë rikthimin te fitorja në kampionat është Teuta. Një rival që lufton për mbijetesë dhe pritet të jetë mjaft e vështirë për të arritur te 3 pikët. Kjo përballje do të luhet ditën e shtunë në orën 18:00 në “Niko Dovana” dhe është i vlefshëm për javën e 32-t ëtë Superiores.