
Mbrëmja e sotme ishte ndryshe nga të tjerat. Në Teatrin e Operas dhe Baletit u mbajt Mbrëmja Gala e “Topit të Artë” 2024, ku të pranishmit ishin të shumtë dhe të fushave të ndryshme, si të sportit, medias dhe politikës.
Krah presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rama ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda dhe djali Zaho. Ndërkohë që një tjetër politikane ishte ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Nuk mund të mungonin as zyrtarë të FSHF-së si, Lutfi Nuri, Arben Dervishaj, Pano Xhixho dhe Ilir Shulku. Por në sy ra edhe prania e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Nga fusha e medias të pranishmit ishin në një numër më të madh, ku gazetarë si Ervin Baku, Viola Spiro, Enriko Gabaj, Sokol Xhihani, Gentjan Alinani, Sokol e Alban Xhihani, Elvis Rexha, Gjergji Stefa dhe Vilma Masha shkrepën fotografitë e tyre në hyrje të TOB.
Figura të njohura kishte edhe nga arti, me aktorët e njohur të humorit, Muharrem Hoxhën dhe Delinda Dishën apo këngëtaren, Eranda Libohova.
Gjithashtu i pranishëm ishte ish-kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana dhe ish-futbollisti spanjoll, Gaizka Mendieta si dhe ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi. Sigurisht që nuk munguan as protagonistët e “Abissnet Superiore”, duke filluar nga presidentët e ekipeve, e deri te trajnerët.
Nga një fushë në tjetrën, e nga një profesion një tjetrin, të gjithë të pranishmit e bënë më të bukur këtë mbrëmjë magjike të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.