
Futbolli lushnjar dhe jo vetëm është sot në zi. Ikona e futbollit, Mimi Xhoxhi është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare. Ish-sulmuesi i Lushnjës ka mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë duke lënë pas vetëm dhimbjen tek të afërmit.
Xhoxhi është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” në vitin 1967, gjithashtu edhe si “Mjeshtër Sporti” dhe “Qytetar Nderi” në qytetin e tij, Lushnjë. Pikërisht nga qyteti i tij, ai u bë një nga figurat më të dashura dhe shquara të futbollit shqiptar.
Mimi Xhoxhi nuk e ka kaluar karrierën vetëm si lojtar, por edhe si trajner. Sulmuesi i cili ishte pjesë e Traktorit të Lushnjes, kishte disa aftësi të jashtëzakonshme ku armë të fortë kishte shpejtësinë. Deri në momentet e fundit të jetës, Xhoxhi e dashuronte futbollin si ditën e parë.
Futbollit, por jo vetëm, do t’i mungojë një figurë e shquar që jetën e tij ia kishte dedikuar sportit më të bukur në botë.