Federata Shqiptare e Futbollit do të prezantojë më datë 30 prill, në ambientet e stadiumit “Air Albania”, strategjinë e Qëndrueshmërisë “Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit”.
Të pranishëm në këtë event madhor do të jenë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, përfaqësues nga qeveria dhe të organizatave ndërkombëtare si edhe personalitete e legjenda të futbollit shqiptar, etj.
Futbolli shërben si një platformë e fuqishme për të nxitur mirëkuptimin dhe lidhjen midis individëve dhe komuniteteve. Futbolli nuk njeh kufij dhe bashkon komunitete nga vende të ndryshme. Nëpërmjet futbollit ndërtohen ura lidhëse, duke nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe respektin reciprok. Futbolli përdor potencialin përbashkues të sportit për të kapërcyer ndarjet kulturore, sociale dhe gjeografike, duke bërë që njerëzit të kenë mundësinë të mblidhen së bashku dhe të krijojnë marrëdhënie pozitive.
Prandaj, strategjia e Qëndrueshmërisë “Ndërtimi i Urave Lidhëse përmes Futbollit” do të paraqesë planin e FSHF-së, që synon të sjellë një ndikim pozitiv, për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve.