“Final 4” e kampionatit të futbollit për vajza hyn sot në fazën vendimtare, me zhvillimin e ndeshjeve të dyta gjysmëfinale që do të përcaktojnë dy skuadrat finaliste. Katër ekipet mbeten në garë për një vend në finalen e madhe, në duele që pritet të dhurojnë rivalitet dhe emocione.
Në stadiumin “Reshit Rusi”, duke nisur nga ora 13:00, Vllaznia përballet me Gramshin, teksa shkodranet mbrojnë avantazhin 1-0 të sfidës së parë. Kampionet në fuqi synojnë të administrojnë rezultatin, ndërsa Gramshi do të kërkojë përmbysjen për të mbajtur gjallë shanset e kualifikimit.
Gjysmëfinalja tjetër do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu”, ku Apolonia pret Teutën në orën 16:00. Pas barazimit 1-1 në takimin e parë, gjithçka mbetet e hapur mes dy skuadrave, me fieraket që mbështeten te faktori fushë dhe durrsaket që synojnë finalen.
