Drejtori Teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, Fulvio Pea, ishte I ftuar në një leksion të hapur të zhvilluar nga Akademia e Futbollit Vllaznia, i cili u mbajt në stadiumin “Loro Boriçi”, Shkodër.
Në këtë leksion ai prezantoi para trajnerëve të Akademisë së Futbollit Vllaznia procesin e tranzicionit të futbollistëve të rinj nga akademia tek ekipi i parë dhe punën që bën Federata e Futbollit për zhvillimin e të rinjve.
Pea, me një karrierë të gjatë si trajner dhe tashmë si Drejtor Teknik, ndau eksperiencën e tij në lidhje me metodologjinë e punës që aplikon një ekip me të rinjtë, vendosjen e objektivave, stafi teknik dhe detyrat përkatëse, filozofinë e lojës, përgatitjen teknike të ndeshjes, përgatitjen atletike të lojtarëve, rregullat e lojës dhe kodin etik.
Leksioni i hapur u fokusua edhe te puna që FSHF po bën me sektorin e të rinjve, duke zhvilluar turne te moshave të ndryshme, krijimin e “Elite Youth Development Academy” dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të talenteve të rinj brenda dhe jashtë vendit.