Marash Kumbulla është duke luftuar fort që të rikuperohet plotësisht dhe të kapë formën optimale, që të jetë i gatshëm për Europianin me Shqipërinë. I transferuar së fundmi nga Roma te Sassuolo në formë huazimi, mbrojtësi kuqezi pritet ta ketë të vështirë të sigurojë fanellën e titullarit te ekipi i ri.
Diçka të tillë e thotë edhe trajneri i Sassuolo, Alessio Dionisi gjatë konferencës për shtyp të dhënë para ndeshjes që ekipi i tij do të luajë përballë Empolit.
“Ai ka arritur regjimin e plotë. Në javën e kaluar ka bërë gjithçka mirë, këtë javë do ta marr në konsideratë. Qartësisht, nuk luan prej 10 muajsh, ndaj ndërthurja e një lojtari i cili është jashtë prej kaq shumë kohësh, duhet kontrolluar.
Do të duhet të gradohet minutazhi, por kur të jetë nevoja, do të tregojë cilësitë që ka. Ai është shfaqur i gatshëm që në momentin që ka ardhur këtu, edhe pse nuk ka pasur minuta në dispozicion, ndaj unë kam besim te ai”, është shprehur trajneri i Sassuolos, Alessio Dionisi.