Klubet e Serie A kanë zhvilluar ditën e sotme një tjetër video-konferencë për të diskutuar detaje të reja për futbollin italian. Duke parë që nuk ka ende një datë të sigurt se kur mund të rinisi futbolli pasi çdo gjë do varet nga Covid-19, drejtuesit kanë disktuar një tjetër çështje.
Sipas mediave italiane, klubet kanë dakord që të ketë një ulje të pagës vjetore me 15% nëse rifillon kampionati. Në të kundërtë nëse Serie A nuk do të rikthehet të luhet atëherë do të ketë një ulje prej 30% të pagave të futbollistëve.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse futbollistët do të pranojnë të ulin pagat e tyre. Kujtojmë që në Itali, Juventusi është skuadra e parë që në bashkëpunim me lojtarët ka ulur rrogat e tyre deri në përfundim të pandemisë së Covid-19. Ky është një plan që pritet të ndihmojë klubet të kalojnë këtë krizë të madhe që ka kapur futbollin dhe botën nga coronavirusi. Gjithashtu klubet kanë rënë dakord që kampionati do të luhet në fushë në momentin që Qeveria do të japi dritën jeshile.