
Javën e ardhshme, UEFA do të mbajë një video-konferencë me 55 Federatat anëtare ku pritet të përcaktohet fati i kampionateve kombëtare, por edhe se kur do të përfundojnë Kupat e Europës. Sipas “Sky Sport”, 31 gushti është afati përfundimtar që UEFA do të marrë sa i përket mbylljes së kampionateve të çdo shteti, ndërsa për Champions League dhe Europa League do të ketë data të reja.
Ndeshjet e kthimit në 1/8 e Champions League parashikohen të zhvillohen më 7 dhe 8 gusht ndërsa më pas ekipet që do të kualifikohen në fazën çerekfinale do t’i nënshtrohen një turi të vërtetë force teksa janë të detyruar të luajnë çdo 3 ditë, datat e parashikuara janë më 11 dhe 12 gusht dhe ndeshjet e kthimit më 14 dhe 15 gusht.
Sfidat gjysmëfinale parashikohen të luhen më 18-19 dhe ndeshjet e kthimit më 21-22 gusht. Finalja e madhe, nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve, pritet të luhet më 29 gusht në Stamboll. Europa League pritet të rifillojë më 2-3 gusht me ndeshjet e kthimit në 1/8 për të shkuar më pas në finalen e madhe më 27 gusht në Poloni.
Duhet rikujtuar se këtë sezon, emergjenca e krijuar nga pandemia e Coronavirusit ka shkaktuar kaos të madh në futbollin vendas, por edhe atë botëror.