Orges Shehi u shpall për të dytin vit radhazi “Trajner i Vitit” në Superiore. Tekniku durrsak ishte pjesë e Tiranës gjatë këtyre dy viteve, ku kishte meritë në shpalljen kampion vitin e kaluar dhe këtë vit si nënkampion.
Largimi nga Tirana e ka lidhur atë ngushtë me një kalim te Partizani. I pyetur nga SuperSport, pas përfundimit të mbrëmjes “Më të Mirët 2023”, ai u shpreh aktualisht nuk ka asgjë konkrete.
“Për momentin nuk ka asgjë konkrete, nuk më vjen mirë që emri im etiketohet, qoftë për mua ashtu edhe për trajnerin e atij klubi, por media e tillë është dhe këtë punë ka, ndaj duhet ta respektojmë”, u shpreh Orges Shehi.
Kujtojmë se Arbër Abilaliaj ndodhet në krye të Partizanit, që pas shitjes së Zoran Zekic. Abilaliaj mban dhe postin e drejtorit sportiv, ndërsa akoma nuk ka humbur 1 takim në krye të Partizanit. Të mërkurën të kuqtë luajnë kundër Egnatias finalen e Superkupës së Shqipërisë në “Air Albania”, ora 19:00.