
PSG-ja u mposht nga Bayern Munich në Paris në sfidën e 1/8 të Champions League. Një humbje minimale që do të rëndëojë te kampionët e francës. Kylian Mbappe e nisi nga stoli këtë përballje, por menjëherë tregoi se është një lider te parisienët.
Sulmuesi francez do të ndalej vetëm nga VAR-i, por përsëri Mbappe shpreson se të tijtë do të kthejnë gjithçka në favorin e tyre në ndeshjen e kthimit në Bavari.
“Duhet thjesht të kuptojmë dhe të kujtojmë se si luajtëm në minutat e fundit, pasi ai është ritmi ynë i vërtetë. U kuptua se si mund t’i bënim keq Bayern dhe kjo është mënyra se si duhet të luajmë në Gjermani, pasi nuk ka asnjë skuadër të pathyeshme.
Personalisht me vjen keq për këtë disfatë, por nuk dua të them asgjë më tepër se kaq. Më vjen keq sepse punova ditë e natë për t’u rikthyer shumë përpara kohe për të luajtur një pjesë të ndeshjes, ndonëse mund të kisha edhe ndonjë minutë më shumë, por është mirë edhe kështu. Goli i anuluar? Ky është futbolli i ri, kështu ndodh tani…
Nëse pozicioni jashtë loje është sinjalizuar do të thotë se atëherë i tillë ka qenë, por e rëndësishme është që të jemi të bindur mbi forcën tonë dhe se në ndeshjet e kthimit mund të përmbysim këtë situatë. Mund të bëjmë shumë më shumë sesa treguam për një orë ndaj Bayern, pasi e ritheksoj, duhet të shkojmë në Mynih dhe të luajmë siç bëmë në 20 minutat e fundit, agresivë që në fillim dhe mund t’ia dalim. Jam më se i bindur për këtë”, u shpreh nënkampioni i botës.