
Mediat argjentinase bëjnë me dije se Lionel Scaloni do të nënshkruajë kontratën e re me kombëtaren e Argjentinës. 44 vjeçari ka arritur marrëveshjen e re, me anë të së cilës ai do të jetë trajner i Albiceleste deri në Botërorin 2026.
Tekniku që nxorri kampion bote për herë të tretë Argjentinën për momentin është në Mallorca. Ai jeton aty së bashku me famlijen dhe do të kthehet në vendlindje në mars për dy miqësoret e kombëtares.
Kreu i federatës argjentinase të futbollit Chiquui Tapia dëshiron që Scaloni të nënshkruajë kontratën e re këtë muaj para miqësoreve. Kështu trajneri do të shpërblehet për fitimin e Copa America, Finalissima dhe Kupës së Botës.
Scaloni është ulur në stolin e Albiceleste në shtator 2018. Ai ka drejtuar 57 takime duke fituar 37, barazuar 15 dhe humbur vetëm 5 ndeshje. Në periudhën e tij Argjentina ka shënuar 113 gola dhe pësuar 35.