
Skënderbeu u mposht në minutën e fundit shtesë nga Egnatia me rezultatin 1-0, sfidë e vlefshme për 1/8-at e Kupës së Shqipërisë.
Skuadra korçare ishte në nivel të kënaqshëm, duke arritur të administronte si duhet takimin deri në minutën e 95-të. Pikërisht ky gol i pësuar në fund ka lënë shije negative të Ivan Gvozdenoviç. Për mikrofonin e Oversport, tekniku i Skënderbeut deklaroi:
“Ky është futbolli. Egnatia është një skuadër shumë e mirë, e fortë. Sot ishte një test i mirë për ne. Ishim me mungesa. Nuk ishim keq. Ishim mirë në të dy pjesët. Nuk jam shumë mirë me gjuhën shqipe, por i kuptoj të gjitha.
Situata? Duam të kthehemi në Superiore. Nuk jemi të gjithë bashkë. Po presim 3-4 lojtarë. Kemi një javë që po punojmë bashkë. Besoj se do të bëjmë një ekip të mirë për kampionatin tonë. Jemi gati për ta përballuar kampionatin. Kam shumë çuna të talentuar. Na duhet vetëm pak kohë dhe do të bëjmë mirë.
Ky është mentaliteti im. Unë kam lojtarë të rinj dhe duan pak mbështetje. Për momentin nuk jemi keq, jemi mirë.
Objektivi? Patjetër, Superliga”, tha ai.