
Kukësi do të luajë nesër kundër Egnatias, ndeshje e vlefshme për javën e nëntë të Superiores. Para kësaj sfide ka dalë në konferencën e zakonshme për Enkeleid Dobi.
Trajneri i verilindorëve është shprehur optimist për të marrë fitoren e radhës përballë publikut të vet. Në fjalën e tij para gazetarëve, Dobi ka thënë:
"Ndeshja me Egnatian? Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe trajtohet si finale. Duhet të dimë ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të jemi më vonë e për çfarë punojmë. Egnatia është me trajner të ri dhe kjo mund të jetë pikëpyetje për ne dhe për ato. Mendoj se nuk duhet të shohim të shkuarën por të tashmen dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen.
Kemi pasur 3 ndeshje të vështira ia kemi dalë me sukses dhe kishim nevojë për keto pikë. Futbolli kërkon stabilitet dhe duhet të kërkojmë përulësi dhe më shumë punë për të marrë frutet dhe meritën e punës dhe për të shkuar aty ku duam ne dhe ku duan drejtuesit.
Gjendja fizike? Nuk luan Ndreca për kartonë por jemi ekip. Këto gjëra do të vijnë herët a vonë. Është një pengesë e vogël sepse Ndreca ka treguar stabilitet dhe ka qenë pikë e mirë por fati i keq i dikujt është fati i mirë i dikujt tjetër dhe duhet të tregojnë që janë të denjë për rolin që i jepet", tha Dobi.